Parlamenti mblidhet sot në një seancë parlamentare të posaçme, për zgjedhjet e Presidentit, por kjo nuk do të ndodhë për shkak se maxhoranca ka vendosur të presë opozitën, e cila vazhdon bojkotin prej javësh. Lajmin e dha dje Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.
“Ky është një vendim që e kemi marrë në tryezën e koalicionit. Ne shpresojmë që me këtë t’i japim një mundësi dialogut dhe opozitës të bëhet pjesë e këtij procesi”- tha Ruçi.
Kushtetuta dhe Rregullorja e parlamentit parashikon që Presidenti të tentojë zgjedhjen dhe tre herë të tjera me 84 vota, ndërsa herën e katërt mund të zgjidhet me 71 vota. Nëse kjo dështon përsëri, Parlamenti shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakoshme.