Gjykata ka vendosur të sekuestrojë aksione e bashkëshortes së deputetit Alfred Peza, Mirela Ndini. Sipas vendimit të Gjykatës, janë sekuestruar aksionet me vlerë rreth 113 milionë lekë të reja. Kjo sekuestro erdhi më kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda pasi janë krijuar dyshime se deputeti socialist akuzohet për fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Sekuestro është vendosur në akuzën e fshjehes së të ardhurave, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe refuzim të deklarimit, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive.
Hetimet nisën nga prokuroria e Përgjithshme ndaj pasurive të deputetit Peza, bashkëshortja e të cilit ka blerë vlerën e aksioneve në masë 1% pranë bankës “Credins”, më 17 mars të 2015.
Nga hetimi i zhvilluar në lidhje me këtë procedim penal, rezulton se deputeti Alfred Peza dhe bashkëshortja e tij, Mirela Ndini, posedojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe likuiditete, të cilat janë tjetërsuar, duke kryer blerjen e masës prej 1% të aksioneve të Bankës Credins sha.
Në funksion të hetimit të deritanishëm janë krijuar dyshime të arsyeshme se bashkëshortët Alfred Peza dhe Mirela Ndini kanë krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në rregjistrat publikë, gjë e cila përbën shkak për ekzistencën e një dyshimi të bazuar në lidhje me ligjshmërinë e tyre.
Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga Mirela Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve.
Nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve të reja.
Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura.