Kryetari i Kuvendit Ilir Meta njofton përmes një letre krerët e grupeve parlamentare se më 18 prill do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për krijimin e dy komisioneve ad hoc për Vetting-un.
Rendi i ditës në seancën e jashtëzakonshme më 18 prill:
Miratimi i projektvendimit të Kuvendit “Për krijimin dhe përbërjen e Komisionit ad Hoc me 12 anëtarë, të përzgjedhjes së kandidatëve për institucionet e rivlerësimit sipas ligjit nr. 84/2016 “për rivlerësimin e kalimtarëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë”.
Miratimi i projektvendimit të Kuvendit “Për krijimin dhe përbërjen e Komisionit ad hoc me 6 anëtarë të përzgjedhjes së kandidatëve për institucionet e rivlerësimit sipas ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Këto komisione përbëhen respektivisht nga 12 anëtarë, gjashtë të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe gjashtë nga grupet parlamentare të pakicës.
Komisioni tjetër nga 6 anëtarë, tre të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe tre nga grupet parlamentare të pakicës.
Kreu i Kuvendit bën thirrje që kandidatët e propozuar për komisionet ad hoc të dorëzohen brenda datës 13 prill ora 16:00.