Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për lejimin e turistëve për vizita turistike në ishullin e Sazanit.
Marrëveshja që ka për qëllim zhvillimin e turizmit dhe promovimin e tij, u firmos nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi.
Në fjalën e saj ministrja Ekonomi falënderoi ministren Kodheli për gatishmërinë e treguar për të kontribuar në rritjen e turizmit në vendin tonë, duke vënë në dispozicion të tij, pronat që administrohen nga Ministria e Mbrojtjes.
Nga ana e saj ministrja Kodheli e konsideroi turizmin si një degë shumë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare dhe për këtë shprehu gatishmërinë për të vënë në dispozicion të turistëve, asetet e Ministrisë së Mbrojtjes që ndodhen në vendet turistike, duke e vënë theksin te siguria.
Nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, mundësohet lejimi i turistëve për kryerjen e vizitave turistike në ishullin e Sazanit, i cili është pronë në përgjegjësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Turistët lejohet të kryejnë vizita turistike në ishullin e Sazanit, gjatë sezonit turistik veror në periudhën 1 maj 2017 deri më 31 tetor 2017. Marrëveshja përcakton gjithashtu edhe orarin dhe zonat që mund të vizitohen në këtë ishull.