Nga Ilir Seci
Dikur Italia për ta ishte ma e pamujtun se Planeti Mars, nji vegim parajse ardhun përmes RAI… – “Ah ju që jetoni afër bregut të detit jeni me fat, se ju ua merr RAI-n, ju…ça doni ma!” – ndigjohej shpesh ky refren. Netë të tana u djersitën me antena e me kanaçe për me mujtë me kapë RAI-n në televizorët me llampa prehistorike që nxeheshin ma shumë se shporeti i druve me racion në qoshe të dhomës. Netë të acarta dimni, kur kalonin orë të tana majë shpiave për me kapë sinjalin e RAI-t … – “Ma ka dhanë njani nji skemë antene që e ka kopjue nga nji shofer maunie që ban rrugën e Rumanisë!” Nji skemë antene e kopjueme me dorë, njaq futuristike, sa edhe NASA kishte me ua pasë lakmi. E jo vetëm skemën e antenës, NASA kishte me ua pasë lakmi në at’botë edhe durimin e pasosun për me kapë nji sinjal RAI në netët e acarta, kur rrekeshin me ngrohë shpirtin me nji program televiziv ndryshe nga “Bujqësia Socialiste”… Ndryshe nga skemat e RTSH-së, RAI kishte “Domenica in”, program me përmasa humane që e bante njerëzor ekranin aq ma tepër për nji shikues si shqiptarët e viteve të diktaturës, “Njeriu i Ri” i formatuem nga “Revista Televizive”. Po programet sportive!? Ndeshjet e futbollit të transmetueme në RAI që me komentet e Nando Martellini-t, Sandro Ciotti-t, Bruno Pizzuli-t, Filippo Corsini-t, shndërroheshin në spektakle të vërteta, teksa komentonin ndeshjet e Seria A apo ndeshjet e kombëtares italiane në stadiumet që zienin si vullkane.
Shqiptarët që asokohe e kishim andërr me e kapë sinjalin e RAI-t për me pa ndonji ndeshje “te italiani”, as guxonin me andërrue se ndonjiherë mund të uleshin në stadiumet italiane. Tokë e paarritshme! Njajtë si Planeti Mars!
Krejt këto m’u kujtuen ditën e premte duke pa shemtinë e tymueseve që ndërprenë ndeshjen në stadiumin e Palermos, ku po luhej e para ndeshje zyrtare mes Shqipnisë dhe Italisë. Shqiptarët e ulun ma në fund në nji stadium italian, prekën andrrën e sa e sa breznive dhe… hodhën tymuese!?
Liria barrë e randë për ne a thue!?
Kur u shpërthyen dyert e ambasadave në vitin 1990 Italia ishte nji ndër shtetet ma të synueme. Prapë me mars 1991, me eksodin biblik drejt brigjeve europiane, prapë Italia destinacion. Për dy dekada me radhë skafistët e Otrantos kushedi sa jetë njerëzore ja banë fli Poseidonit, perëndise së detnave, në përpjekje me i nxjerrë kundrejt pagesës disa milionëshe, në bregun perëndimor. Për shumëkend Kanali i Otrantos u ba lumi Akeron… Mbi treqind mijë shqiptarë emigruen në Itali, u rregulluen, gjetën punë, bane letrat, bane mbrapshtime boll, por asnjiherë Italia nuk bani operacione “Fshesa” dhe asnjiherë nuk detyroi “Refikët” të bahen “Renato” as “Muhametët” të bahen “Massimo”. Mbas vitit 2010 shqiptarët fituen të drejtën me udhetue si gjindja në Europë, në Italinë e shumë-andërrueme ma së pari… Edhe me ndjekë Kombëtaren shqiptare kudo që luen në Europë. Të lirë me udhetue në Europë… Liri që ja qitën tymin!