Mediat maqedonase zbulojnë origjinën në Gostivar të ligjvënëses së Kuvendit të Shqipërisë që po mbron të drejtat e shqiptarëve
Gazetari shqiptar në Maqedoni, Shemsedin Ibrahimi, ka kritikuar politikanët shqiptarë të vendit të tij, duke theksuar se midis tyre dhe Mesila Dodës, ligjvënëses së parlamentit shqiptar, zgjedh këtë të fundit. Përmes nëj mesazhi në facebook, gazetari argumenton se të drejtat kolektive të shqiptarëve duhet të jenë prioritare ndërsa politikanët e partive shqiptare nuk kanë pse “hidhërohen” pse politikanët shqiptarë po kërkojnë të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë.
“Më shumë do të kisha dashtë që për mua si shqiptar i Maqedonisë të përgjigjet Mesila Doda sesa Muhameti i LSDM-së. Gjërat duhet radhitur sipas prioritetit. Për mua Platforma shqiptare vjen e para. Më pastaj është Prokuroria Speciale, e cila së pari duhet të zbardhë proceset e montuara kundër shqiptarëve që nga ekzistenca e këtij shteti. Pse politikanët tanë po kujdesen se mos hidhërohen dhe u mbetet hatri bashkëqytetarëve tanë maqedonas për ndonjë kërkesë të shqiptarëve? Bëhuni njëherë burra. Thoni çka dëshirojnë shqiptarët, cili është interesi i shqiptarëve, pa mos u shqetësuar se kujt i mbetet hatri”, ka shkruar Ibrahimi.
Ndërkohë një portal i rëndësishëm në Maqedoni, i ka dhënë hapësirë deklaratave të deputetes Doda në mbrojtje të shqiptarëve të Maqedonisë. Ina zbulon se deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, Mesila Deda ka prejardhje nga Gostivari duke risjellë në vëmëndje takimin e deputetes Mesila Doda me deputeten shqiptare në kuvendin e Maqedonisë, kur dhe zbuluan se ishin kushërira.
Agjencia e Lajmeve Flaka hulumtoi prejardhjen e deputetet shqiptare, gjyshi i së cilës para shumë vitesh ishte arratisur nga Gostivari për të ikur drejt Shqipërisë ku dhe kishte krijuar familjen e tij.
Se kjo histori është e vërtetë, këtë na vërteton edhe vetë deputetja Doda në një paraqitje publike më 14 Mars të vitit 2014 , pikërisht tani e tre vite më herët.
Pikërisht në këtë datë, në mjediset e Parlamentit të Shqipërisë para tre viteve u mbajt mbledhja e përbashkët për ditën e 8 marsit mes deputeteve shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Nga Maqedonia, e pranishme ishte edhe ish deputetja Dëshira Imeri, të cilën deputetja Doda e kishte kuptuar që e ka të afërt, madje kushërirë të dytë.
Doda dhe Imeri janë njoftuar dhe e kanë kuptuar se janë kushërira mes veti, fakt të cilat nuk e kanë ditur asnjë nga ato.