Fotografi të rralla të shkollave shqipe edhe në Negovan, Follorinë, Manastir, Tetovë e Dardhë të Korçës.
Dikur Çamëria kishte shkollat e saj shqipe. Fotografitë e publikuara nga studiuesi Arben Llalla na sjellin pamje të fëmijëve të Filatit e Margëlliçit në shkollat, ku mësohet shkrim e këndim shqip. Shkolla shqipe në Filat të Çamërisë, është e vitit 1943, ku dhe dallohet atdhetari dhe intelektuali i njohur i Çamërisë, Musa Demi. Një tjetër shkollë po kaq e rëndësishme është ajo e vajzave shqiptare në Margëlliç të Çamërisë, në vitin 1932. Po në Margëlliç ishte shkolla shqipe e vitit 1923.
Historiani Llalla ka publikuar gjithashtu edhe fotografi të shkollës shqipe në Negovan të Follorinës, me mësuesin Petro Nini Luarasin, si dhe Papa Kristo Negovani, mësuesin e shkollës së parë shqipe në Negovan të Follorinës.
Çamëria gjatë gjithë historisë, deri në Traktatin e Londrës (1913) ka qenë pjesë përbërëse natyrore e hapësirës shqiptare. Ndaj dhe përhapja e shkrim-këndimit dhe e shkollës shqipe në Çamëri ka qenë pjesë përbërëse e atij procesi të gjerë që përftoi shkollën shqipe në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe të përpjekjeve për pavarësi. Procesi i përhapjes së shkollës shqipe në Çamëri u ndërpre, për shkak të rrjedhës historike. Krahina shqiptare e Çamërisë u përfshi në shtetin grek pa asnjë të drejtë të identitetit politik, kulturor dhe arsimor.
Studiuesi Arben Llalla ka publikuar gjithashtu edhe fotografi të shkollës së parë shqipe në Tetovë në vitin 1942-43 dhe më herët akoma shkolla shqipe e Manastirit në vitin 1909. Galerisë i bashkohen edhe fotografi të shkollës së parë shqipe në Dardhë të Korçës 1918.