Pas kërcënimit të ministres Felaj se: “mosdekretimi i ministrave e çon në shkarkim nga detyra”, reagoi presidenti: Po konsultohem me kushtetutën dhe institucionet për të vijuar punën më tej
Pasi ministrja e për marrëdhëniet me parlamentin Ermonela Felaj, kërcënoi Nishanin me shkarkim në se nuk dekreton ministrat e rinj, ka ardhur reagimi i presidentit Nishani. Në një reagim për tv Klan, presidenti deklaroi se interpretimi i mazhorancës është i gabuar dhe se Rama nuk e njeh mirë kushtetutën. “Kryeministri që ka shkelur disa herë kushtetutën ka treguar se nuk e njeh mirë atë. Unë i përkas atyre njerëzve që e konsideron punën e shtetit punë serioze. Unë po konsultohem me kushtetutën dhe institucionet për të vijuar punën më tej”, theksohet në deklaratën e Presidencës.
Pak minuta para deklaratës së Nishanit, ministrja Felaj tha: “Kushtetuta urdhëron Presidentin që të veprojë në momentin që ka një propozim nga Kryeministri dhe këtë duhet të bëjë Presidenti. Kompetenca e Presidentit për të emëruar apo shkarkuar ministra, është thjeshtë një kompetencë e aspektit honorifik ose simbolik. Nuk është Presidenti i Republikës ai që ka tagerin për t’i hyrë vlerësimit të kandidaturës së një ministri që propozohet nga Kryeministri. Nëse ka vendosur, në fakt siç e ka shprehur në disa sjellje për fat të keq, që të sillet në institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë si militanti më i rëndomtë nga partia e cila vjen, atëherë natyrisht që do të marrë atë përgjigjie që merr kushdo që guxon të sfidojë, jo Kushtetutën, por guxon të sfidojë sovranin. Natyrisht nuk ngurroj fare ta them që kjo të çon në shkarkim nga detyra”, deklaron Felaj.