Sekretarja e përgjithshme e PDIU-së, Mesila Doda ka thënë se bashkimi i shqiptarëve duhet të nisë nga ekonomia. Ajo ka thënë që nëse kërkojmë zhvillim ekonomik duhen bashkuar ekonomitë e të gjithë shqiptarëve, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë. Ajo ka shtuar: “Bli shqip, konsumo shqip e përdore markat e tua kombëtare!”. sipas saj, ky do të ishte nacionalizmi ynë ekonomik.
më tej kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së është ndalur tek familja shqiptare duhet ndihmuar. PDIU kërkon që çdo fëmijë i tretë, i katërt e me radhë të ketë ndihmë ekonomike.
Më poshtë pjesë nga fjala e Mesila Doda në Konventën e PDIU-së në Tiranë:
Të nderuara zonja, të nderuar zotërinj, miq dhe të ftuar,
Para më shumë se një viti ishim në të njëjtin vend, ku filloi zyrtarisht udhëtimi ynë i përbashkët. Një udhëtim i nisur qysh herët me aksione konkrete dhe nisma ligjore për mbështetjen dhe fuqizimin e kauzave kombëtare dhe ndarjen nga e kaluara komuniste e vendit.
Asokohe deklarova: “Atdheu dhe vetëm atdheu!”, Çështja Kombëtare është ajo që më bashkon sot me PDIU, zotin Idrizi dhe çdo shqiptar të mirë që ka në zemër kombin dhe të ardhmen e tij.
E thënë kësisoj mund të dukemi si patriotët e xhamadanit vija-vija që pasi eksklamojnë madhësinë e Shqipërisë vazhdojnë ahengun me këngën pasardhëse. Pikërisht, përballë me nacionalizmit kallp e histerive qesharake që veç dëmtojnë Çështjen Kombëtare dhe përditshmërinë e qytetarëve tanë ne sollëm patriotizmin modern të PDIU-së, një forcë që siç e thashë edhe herën e fundit në Kuvend, nëse nuk do kish’ egzistuar do na duhej ta krijonim 100 herë për të trimëruar politikën shqiptare e për t’i bërë pëngesë renegatëve vendas e shërbyesëve të zjarrvënies mes nesh.
Sot, pas një viti nga ajo ditë them se kemi kryer një rrugë të jashtëzakonshme në politikën shqiptare. Çëshja Çame, në agjendën e bisedimeve mes dy vendeve, dosjet që hapen, familja shqiptare që u ruajt falë vetos tonë në ndryshimet kushtetuese që u paraqitën e që ishin një thikë mbas shpine për familjen tradicionale. Rrugëtim më të suksesshëm nuk ka. E them këtë duke konsideruar që nuk kemi qenë asnjë ditë të vetme në qeveri, nuk kemi patur asnjë dikaster qeveritar, por kemi mbështetur politikat që shkonin pro Atdheut, pro forcimit të institucioneve e jo individëve, kemi mbrojtur me votën tonë familjen shqiptare aq të sulmuar e të varfëruar në realitetin e sotëm.
A është kjo gjithë çka kemi dashur? JO!
Është vetëm fillimi i kësaj rruge të mundimshme në politikë që shkon kundër rrymës, kundër orekseve të fqinjëve të fuqishëm e që e sheh shpëtimin tek energjia e brendshme e shqiptarëve të shpërndarë në 5 shtete.
Kur vite më parë PDIU kërkonte Commonwealth-in ekonomik të shqiptarëve, vendimarrësit bënin sikur nuk dëgjonin. Kur kërkonim njehsimin e lekut dhe përdorimin si monedhë e dytë në Kosovë, po njësoj bënin veshin shurdhër. Kur kërkuam mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në mënyrë që të reagonim si një shtet në rast të sulmit në Kosovë, po njësoj heshtën e nuk lëvizën as gishtin.
Sot, po e themi dhe rithemi me forcë:
Kosova është zemra e shqiptarisë, ashtu si Çamëria është shpirti i saj. Por, dy krahinat martire nuk janë veç këngë e poezi, nuk janë veç një turp në fytyrën e sotme të kontinentit që ka parë ditën për diell shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut që vazhdon edhe sot, por edhe një pasuri e pamatë që do mund të rimëkëmbte ekonominë tonë të copëtuar e të shqyer si plaçkë lufte mes fqinjëve. Tokat, shtëpitë, jetët e humbura, pronat e pashfrytëzuar janë atje dhe kjo nuk është vërshëllimë poetike, por leva e Arkimedit për të ringritur një koncept të ri ekonomik.
A doni një vend të shëndetshëm ekonomikisht? Ktheni pronat tek i zoti, ktheni pronat e shqiptarëve të Çamërisë tek të zotët, ktheni tek pronarët e ligjshëm gjithë pronat e shqiptarëve të tjerë, në të cilat sot e kësaj dite shteti grek vazhdon t’i mbajë nën sekuestro. Kjo duhet të jetë baza ekonomike për të fuqizuar pronarët e ligjshëm e për t’i dhënë fund një hajnie, një vjedhje shtetërore zyrtare, e planifikuar me mend dhe e zbatuar me thikë, me gjak e me dhunë.
A doni një vend që zhvillohet ekonomikisht? Bashkoni ekonomitë e të gjithë shqiptarëve, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë. Të gjithë ne kemi veç nji Atdhe, ndaj bashkimi mbarëkombëtar duhet të nisë sot duke shpallur bashkimin ekonomik të shqiptarëve. Një politikë fiskale, një politikë doganore, një politikë monetare, e mbi të gjitha proteksionizëm të produktit vendas. Bli shqip, konsumo shqip e përdore markat e tua kombëtare! Ky do të ishte nacionalizmi ynë ekonomik e që unë jam sot tejet e kënaqur që e sjellim para jush si pjesë e programit tonë 2017.
Familja shqiptare duhet ndihmuar. Çdo fëmijë i tretë, i katërt e me radhë do duhet të ketë një ndihmë ekonomike deri në moshë madhore. Po mbetem pak, shumë pak e kjo është një mënyrë e mirë për të siguruar ardhmërinë e brezave.
Më së fundi, dy fjalë për teoritë e reja të rritjeve ekonomike me bimë narkotike. Shqipëria ime nuk është Shqipëria e hashashit. Atdheu që do i lë fëmijëve të mi nuk është ky që helmon tokën e njerëzit e nuk len’ shteg për të patur një jetë normale. Të ndihmojmë njerzit atje ku jetojnë që të sjellin një të ardhme për fëmijët e tyre dhe të gjithëve ne. Shqipëria është streha jonë e përbashkët dhe nuk kemi asnjë atdhe rezervë që një ta mbjellim me hashash, një ta mbysim me beton, e një tjetër tja falim atyre që e marrin peng këtë vend sa herë i teket. Ky është vendi im, nëse më jeni mbështetjen tuaj, unë do ju kthej përkushtimin tim për të patur Atdheun të gjithë bashkë.
Sepse, “Kemi veç një Atdhe!!!