Nga Ilir Seci
Miku Engjëll Çeka më kishtë thanë se kur të vish në Shqipni më difto se kam dëshirë me të ftu në shpi… Shkova në Shkodër në gusht 2016 dhe menjiherë më thirri… – “Kur do me ardhë? Merr familjen e na urdhnoni! Hajdeni e ardhshi të bardhë!” – nji urim që e ndie vetëm në Shkodër. Kështu, që shkuam nji mbasditë gushti, nji mbasdite, kur dielli kish nisë me u mshehë mbas Taraboshi, kur flladi i mbramjes kish nisë me përkëdhelë lulet nëpër kopshtet e Shkodrës. Nji nga ato mbramjet, kur natyra kridhet në poezi dhe andrrimi marrakotët nga magjia e artë e perëndimeve që mund përjetohen vetëm në Shkodër. Na hapi derën Engjëlli duke na urue mirëseardhjen. Sa kaluem portën para nesh u shpalos nji oaz i vërtetë Shkodre, si e kemi njoftë nëpër këndime librash, nji oaz nga ato që përshkruen Ernest Koliqi në rrëfimet e veta, ku na sjell njatë kohën, kur Shkodra ishte Shkodër dhe kishte njasi shpiash me oborre mbushun me lule e zbukurime gjithfarësh në hymje, me bahçet mbas shpiet, ku gjindej truma. Nji ndjesi e rrallë, aty ishte ruejtë nji Shkodër që për fat të keq makutënia dhe tërpia njerëzore po e qesin fare, ishtë Shkodra – SHKODËR – njajo që e adhurojmë të tanë na.
– “Familja jonë vjen prej fshatit Sumë, krahina e Postribës, nga lagjia Bojej. Para 250 vjetëve dy vllaznit Pjetri dhe Sokoli, si familje bajrak, thirren nga veziri në Shkodër, (Kala të Shkodrës), për me i kthye në fenë myslimane duke ju premtuar ofiqe dhe pasuri. Sokoli pranoj dhe qëndroj në Shkodër, familja e tij mori mbiemnin “Sokoli”, mbiemën që e kanë dhe sot në Shkodër dhe që në pemën gjeneallogjike të tyne e shkruejnë se të parët janë katolikë” – nis rrëfimin zotni Engjëlli.
– “Pjetri nuk pranoi dhe u kthye në Malësi ku qindroj për afro 10 vjet për me u kthye mbasandej në Shkodër. Aty me ndihmën e nji njeriu me influencë tek veziri, i quajtun Haxhi Çeka, (ky ishte katolik i kthyer në fenë myslymane që kishte shkue në Mekë dhe ishtë ba haxhi), mujti me ndërtue nji shpi, të cilën turqit dojshin me ja prishë, por kur morën vesh se Pjetri kishtë miqësi me Haxhi Çekën nuk e nganë ma dhe kështu qysh në atë kohë Pjetri u quajt me mbiemën Çeka, mori mbiemnin e mbrojtësit. Pjetri u martua dhe krijoi familjen e tij. Njenin djalë e shkolloi në Romë për prift, (Ejllin), i cili shërbeu si prift dhe vdiq në Shirq. Tjetri Hila u mor me tregëti me Venedikun, nga kjo tregti u pasunu dhe hapi në Shkodër disa dyqane, si dhe bleu shumë toka. Nga trashëgimtarët e brezave të matejshëm fëmijët e Pjetrit, (të riut), u shkolluen dhe punuen në postë zyrtare. Ata ishin njohës shumë të mirë të gjuhëve të huaja perëndimore. Gjyshi jem, Mikeli (1825-1905) ishte punonjës me influencë në konsullatën franceze në Shkodër. Për merita pune, në vitin 1895, dekorohet me medalje ari nga presidenti francez i asaj kohe, Felix Faure: “Për shërbime ndaj shtetit francez për vitet 1856-1895 duke qenë ndihmës dhe përkthyes (dragoman)”. Dokumenti i dekorimit asht në arkivin e shtetit shqiptar dhe na e kemi në foto-kopje. Në librin e konsullit francez De Grandit shkrue për përvojat në Shkodër titullue “Kujtime nga Shqipëria Epërme”, ka paraqitun foto të shtëpisë sonë në Shkodër, oxhakun, i cili egziston dhe sot si dhe nji foto tjetër në Orosh Mirditës të kajmekanit Marka Gjoni, viti 1900, ku asht dhe dragomani Summa (Çeka), me veshje shkodrane. Miqësia me konsullin u shtua mbasi familja De Grand kjenë ba edhe nunat e Babës tëm, për këtë kena dokumentë që i ruajmë në shpi. Janë edhe mbi 200 dokumenta të tjerë që në vitin 1966, Baba ynë ja ka dhurue Arkivës Qendrore të Shqipnisë. Gjyshi jem, Mikeli ka kenë martue me nji vajzë nga familja Shiroka, nga fisi i poetit Filip Shiroka, patën tre fëmijë, nji nga këta u ba murgeshë. Vllau tjetër asht Filip Çeka (Summa), nji personalitet në fushën e diplomacisë. Ai shërbeu në konsullatën angleze në Shkodër dhe ishte nji nga anëtarët ma aktivë të degës së Lidhjes Prizrenit për Shkodrën, u zgjodh dy herë anëtar i Degës së Lidhjes. Ka marrë pjesë së bashku me Isuf Sokolin, (të cilin si thashë ma nalt e kemi nga i njëjti fis dhe fshat, Suma), ka marrë pjesë në luftimet për mbrojtjen me armë të Plavës dhe Gucisë, të Hotit e Grudës, si dhe Ulqinit. Në nji kangë popullore këndohet: “Oh ti zot kush asht ma i miri / Filip Çeka a Ibrahimi/ Ata t’Dragushës djelm të parë/ Isuf Sokoli kumandarë”. Kangë kushtue luftës për mbrojtjen e Ulqinit në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që gjindet në librin e publikuem si përmbledhje me këngët popullore. Gjithashtu, i vitit 1854 asht nji dokument, (Patentë Mbrojtje), i firmosun nga Hecuardi, ku Filip Çeka rezulton se asht i rregjistruem me numrin 2 në rregjistrin e veçantë për të huejt e mbrojtun nga konsullata franceze në bazë të dispozitave të marrëveshjes të përmbajtun në traktatin ndërmjet Francës dhe Portës Lartë Osmane. Filip Çeka asht dhe nji ndër firmëtarët dhe hartuesit e memorandumeve të hartueme në Shkodër në vitet 1878-1881. Ai ka marrë pjesë dhe në shtabin luftarak të kryesuar nga Ali Pash Gucija, së bashku me Isuf Sokolin. Simbas At Zef Pllumit, në parathanjen e veprës “Lahuta e Malcisë” të At Gjergj Fishtës, shkruhet se Filip Çeka (Summa), propozoi në nji mbledhje kërkesën që Lidhja të quhej “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Me interes asht dhe biseda e parisë të Shkodrës me ministrin e luftës të Turqisë, (ku merrte pjesë dhe Filip Çeka), mbajtun me 27 gusht 1880 për dorëzimin e Ulqinit, kërkesë e cila nuk u pranua nga paria e Shkodrës. Shpia jonë asht mbi 250 vjeçare dhe asht e shpallun “Monument Kulture” qysh nga viti 1963. Në nderim të Filip Çekës asht nji pllakë përkujtimore para shpisë. Emni i tij asht i përfshimë te “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, faqja 379. Në vitin 1978 Filip Çeka asht dekorue nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhnin për veprimtari patriotike të klasit III”. Emri i familjes Çeka përmendet në librin e pagëzimeve të vitit 1737, shkrue nga Dom Pal Kamsi, famullitari i Tophanës, krahas familjeve të tjera katolike. Nji rruge në Shkodër afër kishës Arrës Madhe mban emrin “Çekej”. Ndërsa nga vitet 1861, tek shtëpija jonë asht lejue me u thanë meshë nga franceskanët, me leje nga autoritetet turke, kena pasë altar në shtëpi. Gjyshi jem ka pasë tre fëmijë Filipi, (Baba), Angjelini dhe Gjystina, (murgeshë shtëpije). Babai jem gjatë kohës së Zogut ka shërbye drejtor finance në disa rrethe të Veriut dhe më mbrapa Nënprefekt në Kolonjë, Delvinë, Konispol, Lushnje. Mbas viteve 1944 punoi si llogaritar i thjeshtë në Korçë, në Fushë-Arrëz dhe Bushat. U martua me Marika Iljadhi, mbesa e botanistit të shquar Nikollaq Lako nga Korça. Ne jemi dy vllezër të martuem e me familje, Engjëlli ekonomist dhe Mikeli zooteknik, tash në pensjon. Tek pronat tona në Shkodër kemi ndërtue nji shkollë 9 vjeçare private, të cilën e drejton gruaja, Flora Çekaj, me profesion mësuese. Kemi dy djem Gjorgjin dhe Ervinin…” – mbaron rrëfimin për familjen e tij të nderueme zotni Engjëlli. Dalim mbrapa në oborrin e mbrapmë të shpisë, shikoj bahçen e me duket sikur flladi i mbramjës shkodrane po shkund degët e kumbullave që përmend Ernëst Koliqi në tregimin e tij të njoftun…