Pas letrës për rolin e Bordit të OMN, dërguar institucioneve dhe ambasadave të huaja, Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili thekson se kjo ishte një thirrje për të qenë korrekt me zbatimin e kushtetutës dhe ligjit përkatës për vetting-un.
“Unë kam ngritur një shqetësim të institucionit lidhur me zbatimin e Kushtetutës ashtu sikurse është shkruar dhe miratuar dhe sigurisht. Ministria e Drejtësisë nuk ka pse të pres përgjigje pasi vendi për reflektime është në Kuvendin e Shqipërisë dhe në tavolinën e forcave politike që e kanë miratuar së bashku Kushtetutën. Kjo ishte një thirrje për të qenë korrekt me zbatimin e kushtetutës dhe ligjit përkatës për vetting-un, pasi një qendrim i tillë e bën më solid zbatimin e këtij ligji dhe i heq të gjitha mundësitë që ky ligj të atakohet në të ardhmen, gjëra që edhe kanë ndodhur. Pra, hap rrugën pa kthim për vetting-un në Shqipëri”, tha Vasili.
Vasili iu drejtua me anë të një letre Presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit dhe ambasadorëve Lu dhe Vlahutin me dyshimet e tij për kushtetueshmërinë e Bordit të Menaxhimit të OMN.