Maqedonia, Serbia, Kroacia, Sllovenia dhe Austria i kërkojnë qeverisë t’i bashkohet marrëveshjes për menaxhimin e fluksit të emigrantëve
Shqipëria mund të bëhet pjesë e itinerarit të ri të refugjatëve qëvijnë kryesisht nga Siria dhe që kanë destinacion vendet e BE-së. Maqedonia, Serbia, Kroacia, Sllovenia dhe Austria i kërkojnë Shqipërisë të bashkohet në përpjekjet e tyre për menaxhimin e fluksit të klandestinëve. Shefat e policive të pesë vendeve mbajtën një takim në Zagreb ku nënshkruan marrëveshjen e regjistrimit në një procedurë të përbashkët të emigrantëve që hyjnë nga Greqia në Maqedoni dhe të organizojnë transportin e tyre ga kufiri drejt Austrisë.
Proçesi do të identifikojë dhe do të marrë të dhënat biometrike të klandestinëve për të përcaktuar më pas origjinën e tyre, nëse vijnë nga vendet e luftës si Siria, Iraku e Afganistani apo nga vendet të konsideruara të sigurta. Por në këtë proçes, emigrantëve nuk do t’iu jepet statusi i azilantit, hap i cili do të kryhet ose në Austri ose në vende të tjera që ata do të udhëtojnë.