Gjatë vizitës zyrtare në Izrael, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Milva Ekonomi ka njoftuar se në bashkëpunim me homologun Yariv Levin u konkretizua linja direkte e fluturimit Tiranë-Tel Aviv.
Sipas një njoftimi për shtyp, kjo linjë direkte do të sjellë një ndikim më të madh në rritjen e fluksit të turistëve në të dyja vendet dhe do të promovojë Shqipërinë turistike në një treg i cili po zhvillohet me shpejtësi kohët e fundit.
Ministrja Ekonomi ftoi zotin Levin që Izraeli të marrë pjesë në panairin “Mediterranean Tourism Fair”, që do të zhvillohet në datën 8-9 prill në Tiranë.
Ministrja Ekonomi zhvilloi dhe një takim mjaft produktiv me kreun e një prej kompanive që ofrojnë shërbime të fluturimeve civile në Izrael, Joseph Adar, për të diskutuar mundësitë reale të operimit të linjës së fluturimit Tiranë-Tel Aviv, duke nisur që prej fillimit të këtij sezoni turistik veror.