Pas deklaratës së ministrit të Jashtëm lidhur me votimin kundër rezolutës për armët bërthamore, zyra e shtypit të kreut të shtetit njofton se asnjë sqarim nuk ka ardhur në adresë të tij.
“Nisur nga deklarata e bërë sot në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, nga ministri i Punëve të Jashtme, zoti Ditmir Bushati, për votimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të rezolutës për armët bërthamore, sqarojmë se, deklarata e ministrit Bushati se: “Presidenti i Republikës, ka marrë sqarim po në rrugë institucionale”, është krejtësisht e pavërtetë!”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Presidenca sqaron gjithashtu se, nisur nga detyrimet e Shqipërisë në NATO, më 11 janar i është kërkuar informacion ministrit Bushati mbi qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria në mbledhjen e 23 dhjetorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, “por deri më sot nuk ka pasur asnjë shpjegim me shkrim ose verbal”.