Nga Klodian Tomorri
1- Nxjerrja e investimeve publike jashtë buxhetit minon displinën fiskale. Nuk është rastësi që gjashtë vendet, të cilat kanë përdorur më shumë PPP-të janë Greqia, Irlanda, Portugalia, Spanja, Qipro dhe UK. Përveç kësaj të fundit, të gjitha të tjerat janë shtete që falimentuan pas 2008-ës.
2- PPP-të mund të lehtësojnë kufizimet buxhetore sot, por kufizojnë hapësirën fiskale nesër. Veç pagesave për pagat, investimet, interesat e borxhit nesër buxheti duhet të paguajë edhe një shpenzim tjetër; pagesat për koncesionarët.
3-Programi që ka shpallur Rama është i madh. Zakonisht në vendet e tjera PPP-të kanë arritur deri në 12 për qind e investimeve publike. Në Shqipëri, shifra prej 1 miliardë euro në tre vitet e ardhshme do të thotë se ato arrijnë deri në 45 për qind e investimeve publike.
4- Ka shumë raste, kur projektet publike të financuara nga privatët kanë dështuar dhe faturën e kanë paguar gjithmonë qytetarët ose përmes kostove më të larta ose duke detyruar qeveritë t’i shpëtojnë koncesionarët me para publike.
5- Veçanërisht në vendet e korruptuara PPP-të janë shndërruar shpesh ne TTO. Nga Partneritete Publik-Privat në Transferim Taksash tek Oligarkët.
6- PPP-të nuk janë imune nga korrupsioni
Përfshirja e sektorit privat në financimin e veprave publike, është e dobishme, vetëm kur gjeneron mjaftueshëm vlerë dhe rritje ekonomike për të kompesuar kostot më të larta të ndërtimit nga privatët.
Por, që kjo të ndodhë, e para projektet dhe kontratat duhet të jenë shumë transparentë dhe së dyti, duhet të jenë hartuar qartë duke përkufizuar saktë të drejtat dhe detyrimet e privatit dhe shtetit.