Nga Skënder Minxhozi
Shumëkush që merret me politikën dhe lajmet, mendoi se Ilir Meta i hoqi një krah ekuacionit të zgjedhjeve të 18 qershorit, kur deklaroi pa mëdyshje se LSI nuk do të bëjë koalicion me PD. E vërteta e asaj deklarate vlen ende të mbahet nën vrojtim dhe të analizohet, pasi është provuar se krerët e partive janë ende shumë “fluidë” dhe të padeshifrueshëm në fillimin e një viti zgjedhor. Shumë ujë do të rrjedhë deri në zgjedhje dhe mendimi i keq që Meta tha se ka sot për Bashën dhe partinë e tij, mund të jetë një nocion i lëvizshëm dhe relativ. Historia politike shqiptare na ka mësuar me këto lloj mësimesh prej shumë vitesh tashmë.
Megjithatë, kur flitet për llogaritë elektorale të LSI, thënë ndryshe “partisë së mesit” (Kina e konsideronte veten dikur si Perandoria e Mesit, por këtu krahasimi fut paksa ujë), siç ndodhi sot në media, mirë është të mbahet parasysh fakti se Ilir Meta ka prerë formalisht njërën ndër tre degët, ku mund të qëndrojë i ulur në 18 qershor. Sipas analizës elektorale të Mapos, edhe në rastin e LSI del i qartë parimi bazë i këtij sistemi zgjedhor, me të cilin do të votohet në verë, sipas të cilit forca politike që vendos të qëndrojë jashtë gardhit të një koalicioni, penalizohet me shumë mandate më pak. “…dhe i vetëm trim në luftë…“, është një proverb që mund të rishkruhej në “kush mbetet vetëm, e ha ujku”. Dhe ujku në këtë rast është rezultati ndëshkues që merr, thjesht dhe vetëm për shkak të sistemit zgjedhor, me të cilin përllogariten votat e marra.
Në intervistën e fundit, kur ka deklaruar se nuk do të bashkohet me Bashën, Meta ka bërë publike edhe disa nuanca të tjera sinqeriteti, të cilin rrallë e përdor, kur bëhet fjalë për zgjedhje, aleatë apo kundërshtarë politikë. Ai ka thënë në esencë se me Ramën s’do të bënte kurrë aleancë, nëse do të nisej nga bazat e marrëdhënieve personale që ka me të. Por, ka thënë gjithashtu se koalicioni me PS ka funksionuar. Të dyja këto komente, së bashku me refuzimin për t’u afruar me Bashën, duket se përbëjnë aktualisht, jo vetëm atë që mund të quhet “humori elektoral” i LSI, por edhe pozita e saj delikate mes palëve, në këtë kapërcyell të vështirë zgjedhjesh që po afrohen. Të qëndrojë vetëm, për të verifikuar se cila është pesha reale e partisë, të vazhdojë majtas, aty ku duket se ka humbur edhe qetësia, pasi dashuria kishte humbur e para prej kohësh, apo të presë timonin sërish djathtas, duke hyrë në terrenin e panjohur të një opozite të dobët, pa lider dhe pa projekt, e për pasojë me rezultat të paparashikueshëm?!
LSI ka qenë e vetmja sfidë ndaj gravitetit politik klasik në 25 vjetët e fundit. Ajo është afirmuar gradualisht në dhjetëvjeçarin e fundit, duke sfiduar ligjet bazë të politikës shqiptare. Ky përbën një sukses të pamohueshëm të Ilir Metës, pavarësisht kostove jo të vogla, helmeve dhe listës së gjatë të armiqve që ai ka krijuar gjatë rrugës, për të ngritur shtëpinë e tij politike. Por, momenti aktual duket se përbën njëherësh edhe një çast që ka ngarkesë historike brenda. Është momenti, kur skena politike shqiptare mund të shohë të zyrtarizuar një herë e mirë partinë e tretë të madhe në vend. Jo më dy parti të mëdha dhe një tjetër as e vogël, as e madhe! Por, tre parti që kanë pesha të krahasueshme politike në skakierën kombëtare.
Deri më tani rritja e peshës elektorale dhe politike të LSI ka ardhur si pasojë aleancave që ajo ka hedhur në letër. Para ose pas zgjedhjeve. Pasi hoqi në zgjedhjet e vitit 2009 “vuajtjet e Ferrit” , teksa garoi e vetme kundër PD e PS, Meta mundi të zbardhë në letër një aleancë që i dha peshë pas zgjedhjeve. Ishte një aleancë politike, e cila solli pushtet, para, vende pune dhe një pozicion komod pas pesë viteve opozitë. Aleanca e dytë, kësaj rradhe paraelektorale, ndodhi me të majtën. Prej saj LSI mori pak më shumë 10% të votave dhe plot 16 mandate. Një hop prej 12 mandatesh, krahasuar me zgjedhjet paraardhëse. Përtej sherreve që ka pasur me Ramën në këto katër vjet, përtej përplasjeve, bërrylave, mllefit dhe urrejtjes që egziston mes dy anëve të tryezës së koalicionit aktualisht, historia tregoi se e majta e bashkuar, qoftë edhe me “pe të bardhë” dhe me një martesë me kontratë e pa dashuri, është një skemë politikisht fituese.
Meta e di mirë se një bashkim me PS edhe për katër vite, do t’i jepte praktikisht fund fabulës së zgjedhjeve të qershorit, ende pa nisur fushata. Nëse do të vendoste të dilte i vetëm në zgjedhje, ai mund t’i hiqte partisë së tij epitetin “e madhe” që ka marrë në vitet e fundit, kur i ka zmadhuar radhët edhe me disa deputetë të tjerë. Në një rast të tillë LSI do t’i kthehej sërish nocionit të partisë që vendos shumicat parlamentare (vetëm nëse Rama e Idrizi nuk bëjnë ndonjë surprizë ende të vështirë për t’u imagjinuar, duke i kapur të vetëm 71 mandatet). Është e vërtetë që Meta do të reduktonte peshën politike, por do të verifikonte në dritën e diellit peshën reale që ka në elektoratin shqiptar. Një tundim jo i vogël për një forcë politike që herën e fundit që garoi e vetme mori fare pak deputetë.
Ndërkohë me Ramën (dhe Idrizin) në krah, jeta do të ishte më e “mërzitshme”, por shumë më komode. Me kusht që vetë Ilir Meta të gjejë një “vend pune” të përshtatshëm për veten e tij, në shtetin e pas 18 qershorit. President, kryeministër, zëvendëskryeministër apo asnjëri prej tyre?! Ky element është kaq i rëndësishëm, saqë mund ta mbajë të ngrirë të gjithë logjikën e mësipërme të këtij shkrimi. Eshtë e panjohura më e madhe e ekuacionit me një krah të LSI në këto zgjedhje.
/javanews.al/