Kryeministri Edi Rama e konsideron kërkesën e opozitës për votim dhe numërim elektronik si justifikim për humbjen e saj në zgjedhje.
“Partia Socialiste nuk ka kërkuar asnjëherë votim elektronik, pasi është e pamundur, por vetëm identifikim elektronik“, është shprehur Rama.
Rama: Nuk çuditem që OSBE/ODHIR-i po rishpallen armiq nga opozita, pse nuk e përkrahin një aventurë të këtyre përmasave. Por padyshim as shpallja e tyre armiq nuk e bën elektronizimin e procesit më realist, as qëndrimi objektiv i OSBE/ODHIR-it për këtë kërkesë të opozitës nuk ka gjasë ta bëjë më realiste këtë të fundit (sepse opozita nuk ka hallin e zgjidhjes elektronike po hallin e humbjes që s’ka zgjidhje).
Qeveria nuk mund të marrë përsipër të japë, në këto kushte, dakordësinë për një aventurë të cilës nuk i dihet fundi ose më saktë, e cila me të dhënat e me mundësitë e sotme, ka vetëm një fund: Dështimin e sigurt të procesit zgjedhor!