Një qëndrim i qartë i ish-kongresmenit amerikan për popullsinë çame dhe të drejtat e njeriut të dhunuara nga Greqia, për marrëveshjen e ujrave, për pretendimet boshe për pakicën greke në Shqipëri dhe për agjendën nacionaliste të Greqisë. Letra drejtuar ambasadorit italian në SHBA.
Më 12 shtator 2001, ministri i Jashtëm grek i kohës, Stavros Lambrinidis dhe homologu i tij italian Franko Fratini mbërritën për një vizitë në Shqipëri dhe në qendër të kësaj vizite ishte çështja e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pikërisht atë ditë, ish-kongresmeni amerikan, Joseph Dioguardi, i cili është një ndër lobuesit më të rëndësishëm për Çështjen Shqiptare në SHBA, i dërgoi një letër ambasadorit të italisë në SHBA, zotit Terzi, ku përfshihej edhe kërkesa për zgjidhjen e Çështjes Çame.
Në atë letër, Dioguardi shpreh qëndrimin e tij për të gjithë problematikën që ekziston mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ligji i Luftës është paradoksi, që sipas Diopguardit dëshmon politikën antieuropioane të Greqisë ndaj fqinjëve. Ai flet qartë dhe hapur për pretendimet e pabazuara të Greqisë për minoritetin në Shqipëri, për pretendimet gjithashtu të pabazuara për varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri, për marrëveshjen e ujrave dhe një sërë çështjesh të tjera, për të cilat Dioguardi e cilëson Greqinë si një vend antieuropian. Letra drejtuar ambasadorit italian në SHBA, është lexuar nga vetë Dioguardi në një takim me komunitetin shqiptar në SHBA në vitin 2011.
Më poshtë botohet teskti i letrës dhe video ku ish-kongresmeni amerikan sqaron detajet e letrës.
Letra
I dashuri Ambasador Terzi,
Unë jam duke të shkruar në cilësinë time si një ish-anëtar i Kongresit amerikan, që ka përfaqësuar zonën e Westchester-it (Westchester County), New York, në Dhomën e Përfaqësuesve nga 1985 deri më 1989. Zona ime elektorale e Kongresit përfshinte shumë votues italiano-amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë. Unë jam gjithashtu themelues dhe President i Lidhjes qytetare shqiptaro-amerikane, një organizatë jo-fitimprurëse e regjistruar në SHBA që promovon të drejtat e njeriut dhe liritë politike të shqiptarëve në Europën Juglindore.
Babai im, Xhuzepe DioGuardi, emigroi në Shtetet e Bashkuara me nënën dhe motrat e tij në vitin 1929 nga fshati i vogël shqiptar dhe italian-folës i Grecit, që ndodhet në provincën e Avellino-s, jo larg nga Napoli. Banorët e Grecit janë pjesë e minoritetit italo-shqiptar (arbëresh) në Itali të ardhur nga ushtria shqiptare e Gjergj Kastriotit (i njohur edhe si Skënderbeu) që i dha ndihmë ushtarake Mbretit të Napolit në 1461 për të mposhtur pushtuesit francezë.
Unë e kuptoj se Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini po viziton sot Tiranën në shoqërinë e Ministrit të Jashtëm grek Stavros Lambrinidis “për të inkurajuar aktorët politikë në Shqipëri të punojnë së bashku për integrimin europian të Shqipërisë.” Ndërsa nuk është vendi im për të sfiduar politikat e jashtme dhe veprimet diplomatike të vendeve të tjera përveçse të Shteteve të Bashkuara, desha që ju dhe qeveria juaj ta dinë që unë jam i zhgënjyer në lidhje me këtë vizitë të përbashkët, për shkak se ajo duket që i përfiton agjendës nacionaliste greke në Shqipëri se sa agjendës së integrimit në BE.
Unë mendoj se ne mund të biem dakord që pa marrë parasysh problemet e saja aktuale ekonomike, Greqia është një aleat i rëndësishem i Shteteve të Bashkuara dhe Italisë si anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian, dhe mbetet nje aktor i rëndësishëm rajonal ekonomik dhe politik në Europën juglindore. Megjithatë, unë jam i shqetësuar se disa aspekte të rëndësishme të politikës së jashtme të Greqisë veprojnë kundër integrimit europian në rajon.
Unë, gjithashtu besoj se qeveria italiane është në dijeni të faktit se shumica e politikave dhe qëndrimeve të saj në rajon janë plotësisht të ndryshme nga ato të Greqisë. Për shembull, Italia e njeh Republikën e Kosovës; Greqia nuk e njeh atë. Italia ka mbështetur plotësisht anëtarësimin e Maqedonisë në NATO; Greqia votoi kundër saj. Italia ushtron një politikë konstruktive dhe paqësore në Shqipëri; Greqia, në të kundërtën, strehon skema të mbuluara territoriale kundër vendit. Italia njeh plotësisht të drejtat e pakicave të popullsisë së saj italo-shqiptare; Greqia refuzon t’u japë të drejta të ngjashme pakicës etnike shqiptare të Greqisë (të cilët janë të së njëjtës origjinë etnike, gjuhësore, kulturore, dhe fetare si arbëreshët e Italisë).
Unë jam i shqetësuar se, nën pretekstin e integrimit europian, Greqia është duke ndërmarrë një fushatë diplomatike të paparë për të avancuar programin e saj nacionalist në Shqipëri, që përfshin si vijon:
Greqia sot e kësaj dite refuzon të njohë të drejtat e njeriut të pakicës shqiptare etnike “Çamërinë” në Greqi. (Siç mund ta dini, kjo pakicë është e përbërë nga çamët e fesë ortodokse, të cilët jetojnë në veriperëndim të Greqisë, si dhe çamët e besimit islam, të cilët iu nënshtruan masakrave të tmerrshme, mizorive, dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe u detyruan për të gjetur strehim jetëshpëtues në Shqipëri.)
Greqia ende ka për të shfuqizuar zyrtarisht Ligjin e Luftës me Shqipërinë, që ishte krijuar në vitin 1940, kur ushtria e Musolinit pushtoi Shqipërinë.
Greqia ka ushtruar presion mbi Shqipërinë që të miratojë dy varreza në jug të Shqipërisë, të dedikuara për ushtarët grekë të cilët u zhdukën gjatë luftës italo-greke të 1940-1041, ndërkohë që Italia shumë kohë më parë ktheu dhe varrosi ushtarët e saj në territorin italian.
Ministri i Jashtëm Lambrinidis gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë përsëriti refuzimin e qeverisë së tij për të njohur Republikën e Kosovës. (Ai gjithashtu lëshoi një paralajmërim të mbuluar hollë ndaj qeverisë shqiptare në Tiranë për të injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila rrëzoi “Marrëveshjen Greko-Shqiptare për Caktimin e Kufijve të Shelfit Kontinental në Detin Jon” si një shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe Konventës së OKB-së të Ligjit të Detit.)
Përkundër krizës së paparë financiare, Greqia vazhdon të financojë shkolla në gjuhën greke në Korçë dhe Himarë në jug të Shqipërisë dhe të paguajë përfitime të pensionit si dhe pensione qytetarëve shqiptarë që në mënyrë oportuniste deklarohen si “grekë”.
Ju, gjithashtu duhet të dini se Greqia është duke bërë presion mbi Shqipërinë për të bërë regjistrimin e pakicave etnike në bazë të kritereve “subjektive”, në shkelje të Konventës së Kornizës Europiane për Pakicat Kombëtare, ndërsa Greqia ende refuzon të identifikojë minoritetet e saja kombëtare dhe të ratifikojë Konventën mbi Pakicat Kombëtare. Në lidhje me këtë, Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Korçë në fillim të këtij viti deklaroi hapur se vllehët shqiptarë janë në fakt grekë dhe duhet të identifikohen si të tillë. Për më tepër, Konsulli i Përgjithshëm tha se regjistrimi i popullsisë do të jetë vetëm fillimi i hapave të mëtejshëm në drejtim të zbatimit të “Agjendës së Epirit Verior” – term që nacionalistët grekë përdorin për të përshkruar qëllimet e tyre në jug të Shqipërisë.
Si përfundim, ndjej fuqishëm se vizita e përbashkët e Ministrave të Jashtëm Frattini dhe Lambrinidis në Tiranë i shërben agjendës rajonale të Greqisë (jo të Italisë) në këtë kohë të rëndësishme të integrimit të dëshiruar europian. Greqia duhet të shqyrtojë ekzistencën dhe statusin e pakicave të saj etnike të margjinalizuara, të kthejë prapa politikat e saj anti-europiane kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë, të njohë Repulikën e Kosovës, dhe të fillojë politikat e aksionit afirmativ ndaj pakicës Çame (dhe pakicave të tjera etnike) në Greqi.
Vetëm atëherë, sipas mendimit tim, duhet që Italia t’ia bashkangjit vullnetin e saj të mirë e të madh në çështjet e Europës juglindore çdo iniciative diplomatike greke në Shqipëri.
Nëse keni ndonjë pyetje, ju lutem mos ngurroni të më kontaktoni në (914) 671-8583.
Sinqerisht,
Joseph J. DioGuardi
https://www.facebook.com/voiceofchameria/videos/1594888120803188/