Gazeta greke “Kathimerini” zbardh bisedën telefonike që kryeministri Rama ka bërë me homologun grek Tsipras në 22 nëntor.
Biseda vjen pas arrestimit që iu bë në Janinë, dy shoferëve të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ku theksohet se Rama përdori tone të ashpra ndaj Tsipras. Ndërkaq sipas, “Kathimerini” telefonata ka pasur një prapavijë të fortë diplomatike në Bruksel para shpalljes së raportit vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë. Thuhet se Greqia u tërhoq pas presionit të fortë nga Italia e Austria.
“Kathimerini” në një artikull të sotëm shkruan se në telefonatën Rama-Tsipras tonet mes tyre kanë qenë të ashpra. Burime të besueshme qeveritare greke i thanë gazetës greke se, “Edi Rama i është drejtuar me tone të larta dhe agresive kryeministrit grek, Aleksis Tsipras duke i kërkuar sqarime për ndalimin e dy punonjësve të Ministrisë së Jashtme shqiptare, të cilët u ndaluan më 14 nëntor në Kakavijë duke transportuar libra shkollorë që sipas Gjykatës Greke të Janinës kishin përmbajte propagandistike“.
“Kathimerini” thotë se, Tsipras nuk u befasua nga tonet e larta të zotit Rama dhe reagoi ashpër. Tsipras i ka thënë homologut shqiptar se është e paimagjinueshme që diplomatët të përdorin mandatin politik për të minuar marrëdhëniet mes dy vendeve duke transportuar libra për nxënësit, me synim konvertimin e pikëpamjeve drejt ideve irredentiste.
Sipas, “Kathimerini” telefonata ka pasur një prapavijë të fortë diplomatike në Bruksel para shpalljes së raportit vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë, që ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim. Gazeta greke shkruan se, Greqia u gjend para rezistencës së fortë të Italisë dhe Austrisë, për të mos përfshirë në raport-progresin e Shqipërisë, çështje që lidhen me minoritetin grek.
Më tej në mbyllje të shkrimit, e përditshmja “Kathimerini” shkruan se në këtë situatë kryeministri Tsipras ka planifikuar në fillim të Janarit një vizitë në Beograd për të forcuar aleancat në rajon.
/shqiptarja.com/