Kryeministri italian Matteo Renzi ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit pas humbjes që pësoi në referendumin për ndryshimet kushtetuese.
Renzi e bëri publike dorëheqjen e tij në një konferencë për shtyp sapo kishte kaluar mesnata e ditës së djeshme.
59.95 % e italianëve i thanë “JO” ndryshimeve kushtetuese që kishte propozuar Renzi dhe 40.5 % votuan për “PO”. Në votim morën pjesë rreth 70 % e italianëve.
Fjala e Matteo Renzit para gazetarëve:
“Unë jam ndryshe nga të tjerët e nuk shtirem për asgjë. Kam humbur, dhe jap dorëheqjen. Nuk munda të marr fitoren, dhashë gjithçka që munda në këtë fazë. Nuk jam një robot. Unë humba dhe e them me zë të lartë. Në politikën italiane asnjë nuk humb kurrë, askush. Largohem pa pasur asnjë peng në ndërgjegje. Populli italian foli qartë. Një përqafim të fortë për të gjithë ata që votuan “PO”. Urime atyre që votuan “JO”. Urime për një punë të mirë në interes të italianëve dhe Italisë. Falenderoj bashkëshorten time Agnese, fëmijët e mi për këto 1000 ditë që më kanë shoqëruar në punën time si kryeministër. 1000 ditë që kanë fluturuar. Është momenti të largohem e të rinis të ecë në rrugën time. Rroftë Italia!”