Nënkryetari i Kuvendit, Shpëtim Idrizi ka mbajtur një fjalë të shkurtër në galanë përmbyllëse të Samitit të Diasporës.
Ai ka shpallur një program mirëfilli politik për Diasporën, në të cilin kërkon garantimin e vendeve të sigurta në Kuvendin e Shqipërisë për Diasporën, pjesëmarrjen e saj në proceset zgjedhore të Shqipërisë. Ai ka shtuar se Diaspora duhet konceptuar Hapësirë e lirë e ekonomike, në mënyrë që të hiqet barra fiskale investimet e Diasporës në atdhe. Po kështu ka ngulmuar në ngritjen e Ministrisë së Diasporës dhe financimit të shkollave shqipe, atje ku ndodhen komunitetet e mërgimtarëve shqiptarë.
Më poshtë fjala e plotë e Shpëtim Idrizit në Samitin e Diasporës:
Kur shoh këtu Diasporën e Shqipërisë, them që mali me mal nuk puqet, por njeriu me njeriun më në fund puqet.
I nderuar zoti kryeministër,
Zoti Kryetar i Parlamentit!
Të nderuar zonja dhe zotërinj!
Të dashur motra dhe vëllezër bashkëkombësit e mi shqiptarë.
Unë mendoj, megjithëse mund t’ju duket pak e çuditshme në fillim që: Nuk ka asnjë arsye përse t’ju urojmë mirëseardhjen në këtë Samit dhe aq më shumë në Shqipëri. Sepse, këto dy koncepte në fakt janë një.
Diaspora është Shqipëria dhe Shqipëria është Diaspora.
Nëse kthejmë sytë nga e kaluara, do të gjejmë shumë pak rilindas që nuk i takonin Diasporës; shumë pak shqiptarë që nuk i përkisnin mërgatës së shpërndarë gjithandej, ishin në krye të lëvizjes kombëtare.
Ndaj, pa frikë mund të themi se Diaspora bëri Shqipërinë, ngriti Shqipërinë dhe mbajti Shqipërinë.
Pa drojë duhet thënë se ky vend është falë jush dhe ju jeni bijtë më të shtrenjtë të këtij vendi.
Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe!
Sepse, kur ikën nga atdheu për mundësi më shumë, asnjë gjë nuk të detyron të kthesh sytë pas.
Ne, që jetojmë çdo ditë këtu, atdhedashuria na ndërthurret me mbijetesën, mbarëvajtja e vendit lidhet me mirëqënien e gjithësecilit; zhvillimi i Shqipërisë është edhe zhvillim i yni.
Ndërsa për Diasporën, sytë nga Shqipëria nënkuptojnë vetëm diçka: dashuri të dëlirë dhe të pastër për tokën tonë.
Asgjë më shumë e asgjë më pak. Nëse i kthejmë sytë pas, do ta kuptojmë se sa i rëndësishëm është ky çast.
Sot, nuk është Samiti i parë i Diasporës, por është Samiti i dytë.
Herën e parë që Diaspora u mblodh anembanë botës prodhoi Shqipërinë; na dha pavarësinë.
Kuvendi i Vlorës, me delegatë nga Preveza në Mollë të Kuqe, kishte më shumë shqiptarë që kishin kaluar shumicën e jetës jashtë atdheut, sesa shqiptarë që kishin jetuar vetëm në Shqipëri.
Prandaj, kjo ditë është e veçantë; kuptimplotë; është ribashkimi i parë pas krijimit të shtetit shqiptar; dhe sot është rikthimi për të plotësuar idealin e asaj dite të shenjtë.
***
Ky tubim i Diasporës Shqiptare është një ngjarje e gëzuar për mua si politikan, por veçanërisht për mua si qytetar. Ashtu si shumë prej jush, unë jam nga ai lloj shqiptarësh që kërkoj vendlindjen, por vendprehjen para Ditës së Gjykimit .
Unë jam lindur në Tiranë, rrjedh prej nënës nga një prej fiseve te njohur të Tiranës, Zhegëve, pra jam tironc megjithë kuptimin e fjalës. Jam nga zemra e gegnisë së shqiptarëve.
Por, unë kokën e kam në Margëlliç, sepse baba e gjyshi im u lind atje dhe prej andej i kam rrënjët. Pra, jam çam nga zemra e toskërisë së shqiptarëve. Tek unë takohen ata të dy, mitet e shqiptarisë, Gegu dhe Tosku.
Janë brenda një njeriu të vetëm, brenda një historie të vetme.
Sepse, të dashur vëllezër, gjithsecili nga ne është një histori më vete. Gjithkush që është sot këtu, në këtë sallë ka sjellë me vete dramën e tij, por në të njëjtën kohë edhe gëzimin e bashkimit.
Shihni sa bukur është këtu që jemi mbledhur të gjithë tok, zonja dhe zotërinj, motra e vëllezër të një trungu që kanë dashur të na e zvogëlojnë, të na e presin, por që ka mbijetuar nga Molla e Kuqe deri në Prevezë.
***
Sa herë përmendim këto sinore, dikush atje jashtë na akuzon për nacionalizëm, për Shqipërinë e Madhe, për irredentizëm. Nuk është e vërtetë, është një gënjeshtër e madhe e ndërtuar nga shkulmet e padrejtësisë.
I vetmi komb në Europë që nuk e ka sulmuar kurrë një komb tjetër në historinë e vjetër dhe të re të Europës janë shqiptarët. Përkundrazi, ndaj tyre janë kryer tmerre, masakra nga serbët, grekët, bullgarët, malazezët, turqit.
Dhe kanë patur veç një qëllim shbërjen e këtij Kombi të lashtë sa toka, shpërnguljen e tyre, ashtu si bënë me njerëzit e babait tim në Çamëri apo me njerëzit tuaj dhe ju vetë në Malësi e kudo ku keni patur kulmin. Unë tërheq me vete një histori vrasjesh, genocidi, të cilën jo të gjithë e njohin aq sa duhet.
Për fat të keq, ne, shqiptarët e Çamërisë, jo vetëm jemi dëshmitarë të një eksodi biblik, vrasjeve të grave, fëmijëve, pleqve, por duhet edhe të durojmë padrejtësinë e sotme që na ngrihet mbi krye si mallkim.
A e dini çfarë duhet të durojë një çam sot?
Atij i duhet jo vetëm të zotërojë urrejtjen që i shkakton rrëfimi i të moçmëve si i shkulën nga trojet e tyre, por edhe të dëgjojë brenda e jashtë Shqipërisë njerëz që i thonë që Çështja Çame nuk ekziston.
Si nuk ekziston?
Janë të paqena historitë e pleqve tanë, dëshmitë e tyre?
Ata mijëra njerëz që u vranë e u therrën nga bandat e Napoleon Zervës?
Varret masive nuk ekzistojnë?
Një gjë nuk ekziston në historinë e një kombi dhe këtu biem dakord edhe me grekët; Gënjeshtra nuk ekziston për një kohë të gjatë, kurse e vërteta, dita dhe drita janë të përhershme.
Historia e një kombi nuk mund të lartohet mbi një gjë të rrejshme. Ndaj, është rrena më e madhe të thuash sot se Çështja Çame nuk ekziston.
Atje është dhe atje do të jetë sa kohë ka Filat, Gumenicë, Margëllic apo Paramithi, sa kohë ka suliotë dhe rrjedh lumi Kalama.
Atje është dhe Çështja Çame.
Por, pavarësisht kësaj historie tragjike, megjithëse i njohim mirë kufinjtë tanë, ne nuk kërkojmë ndryshime të kufinjve politikë, por dëshirojmë, ëndërrojmë dhe do ta bëjmë fillimisht bashkimin kombëtar. Kufinjtë janë e fundit çështje e le t’i kthejmë ato në kufi imagjinarë.
Ne në radhë të parë, na duhet të pranojmë e njohim sho-shoqin, gegun, toskun, kosovarin, çamin, ulqinakun, tetovarin. Duhet të shohim njëri-tjetrin në sy dhe pa pathos, folklorizëm, madje pa zë të lartë të pranojmë:
“O sa mirë me qenë shqiptar!”.
Kaq po bëmë këtë, kemi bërë gjysmën e udhës.
***
Të nderuar bashkombasit e mi shqiptarë,
Sot, ne përkujtojmë me respekt të gjithë ata që kanë themeluar këtë vend. Këtu ka përfaqësues nga çdo kontinent e çdo shtet, mbi të gjitha nga çdo trevë e Shqipërisë. Ajo që na bashkon është të qenit shqiptarë.
Si shqiptar i Çamërisë me dhimbje më duhet të them se e vetmja trevë që nuk ka më shqiptarë që jetojnë, me të drejta të plota, është Çamëria martire, sepse Çamëria e Diasporës është këtu.
Por, Çamëria e banorëve të saj, është prerë në mënyrë gjakatare 70 e kusur vite më parë. Unë si shqiptar i Çamërisë, kam një thirrje për ju:
Ta bëjmë tonën të të gjithëve bashkë Çamërinë e Pirros së Epirit, Dora D’Istrias, Marko Boçarit, Abedin Bej Dinos, Xhavellës e Bubullinës, Hasan Tahsinit, Mitrush Kutelit, Koli Idromenos e Bilal Xhaferrit, si dhe të katër firmëtarëve të mëvetësisë së Shqipërisë.
Unë jam i bindur që Çamëria është juaja, po aq sa e imja,
E ju ftoj miqtë e mi të bëhemi bashkë qoftë dhe me një fjalë, një status në rrjetet sociale apo një bisedë a lobim në 40 shtetet ku jetoni, për të plotesuar hartën identitare të Kombit Shqiptar dhe me Çamërinë.
Kjo vlen shumë nuk e mendoni se sa shumë. Ndaj, më duhet të shpreh ndjenjën time, si një shqiptar i mërguar nga një trevë shqiptare, por që gjithsesi brenda trungut kombëtar; se sot, beteja e shqiptarisë është një: Rikthimi i dinjitetit kombëtar në çdo trevë, ku ka shqiptarë e përsëpari aty ku janë dëbuar me dhunë: në Çamëri.
Diaspora ka bërë shumë për Kombin Shqiptar, Diaspora e vjetër në Amerikë bëri gjithçka, kur Shqipëria rrezikonte të zhdukej nga Harta e Europës e që Fan Noli e perifrazonte me një fjali: “Shqipëri mo s’ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”.
Po kështu, të gjithëve na dridhej zemra, kur qindra mijëra shqiptarë niseshin nga Europa, Amerika, Kanadaja e Australia për t’ju bashkuar UÇK-së, për të luftuar me kasapin e Ballkanit Milosheviç. E falë tyre dhe Zotit sot kemi Kosovën e pavarur.
Nder dhe lavdi atyre djemve dhe vajzave.
***
Si përfaqësues të Samitit të dytë të Diasporaës, jemi këtu për të çuar përpara amanetin e Samitit të parë, të Kuvendit të Vlorës, për ta bërë Shqipërinë, një dhe të begatë, për të mundësuar shqiptarët të jenë të lirë dhe me të drejta, kudo ku i ka vendosur Zoti.
Miq të dashur,
Sot, ne duhet të krijojmë kushtet që Diaspora dhe Shqipëria, të veprojnë në një zë; sepse siç e thashë, ato janë e njëjta gjë. Shteti shqiptar, shumë herë më i konsoliduar sesa më parë; sot ka detyrim që këtë Samit ta përkthejë në vepra konkrete e të mos e lërë të jetë thjesht një eveniment, që sado i rëndësishëm, nuk mund të prodhojë produkte vetë.
Kjo nuk mund të nisë pa kujtuar të kaluarën. Ndaj, është çasti të nxjerrim nga sirtarët e pluhurosur propozimin për ndërtimin e një Panteoni të shqiptarëve në mes të Tiranës, ku do të prehen eshtrat e të gjithë Rilindasve dhe Heronjve të Kombit.
Ne sot e kemi Skënderbeun në Lezhë, Ismail Qemalin në Vlorë, vëllezërit Frashëri tek kodrat e liqenit, Fan Nolin në Amerikë e shumë të tjerë të shpërndare kudo.
Ata duhet të jenë në qendër të kryeqytetit si një shenjë respekti për paraardhësit tanë që dhanë gjithçka për Atdheun dhe një frymëzim për çdo bashkëkombas që do ta shohë Shqipërinë, të begatë, siç e meriton.
Këtu në Tiranë ka qenë shpirti i Nolit, Konicës, Ismail Qemalit, Frashërllinjve, Veqilharxhit, Fishtës e çdo shqiptari tjetër që punoi për Atdheun.
Miqtë e mi,
Sot, ka ardhur koha, madje jemi të vonuar në krijimin e një ministrie vetëm për Diasporën. Unë besoj se Ministria e Diasporës është një domosdoshmëri. Diaspora e vjetër dhe e re, nga arbëreshët e arvanitasit te emigrantët ekonomikë të sotëm, duhet të kenë një pikë referimi dhe një hartues politikash. Unë besoj, se i takon shtetit shqiptar të kujdeset për mos humbjen e gjuhës, kulturës e identitetit shqiptar.
Të nderuar miq,
Unë besoj se çdo shqiptar duhet të ketë të drejta mbi këtë vend. Prandaj, unë shoh të domosdoshëm ndryshimin e ligjit për shtetësinë, duke mundësuar që Diaspora e vjetër, kryesisht qytetarët me origjinë shqiptare në Itali (arbëreshët), Greqi (arvanitasit), Turqi, Ukrainë, Kroaci, SHBA, e gjetkë, të kenë të drejtë të marrin shtetësinë shqiptare, pa kushte të tjera. Gjithashtu, unë besoj se çdo shqiptar duhet të përfaqësohet në Kuvendin e shqiptarëve.
Prandaj, duhet të garantohet e drejta e votës së emigrantëve në shtetet ku banojnë, duke e trajtuar emigracionin si njësi të veçanta elektorale; si edhe rezervimi i disa mandateve në Kuvendin e Shqipërisë për shqiptarët e Amerikës dhe të Europës duke iu kthyer traditës të viteve 1920, kur një deputet zgjidhej nga Federata Vatra, si edhe një deputet i zgjidhej nga arbëreshët e Italisë.
Unë besoj se fuqizimi i diplomacisë ekonomike dhe tregtare, nuk mund të bëhet pa Diasporën. Prandaj, është e nevojshme ta kthejmë Diasporën në një hapësirë ekonomike të lirë; me trajtim preferencial, me ulje taksash dhe detyrimesh për këdo shqiptar që jeton jashtë dhe dëshiron të investojë në Atdhe.
Pra, Diaspora të shpallet Zone e lirë ekonomike!
Të dashur motra dhe vëllezër,
Diaspora dhe bashkimi kombëtar është një detyrim i patjetërsueshëm, i cili për ne shqiptarët rrjedh që nga Preambula e Kushtetutës. Para Zotit, para shqiptarëve ne kemi këtë detyrim që shkruhet qysh në krye të dokumentit tonë themelor:
“Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit.”
Le të jetë sot, rinisja e betejës sonë, për identitet dhe unifikim kombëtar, për të shpënë në vend amanetin e themeluesve të këtij shteti; juve, neve, Diasporës që është Shqipëri e Shqipërisë që është Diasporë.
Rroftë çdo vend ku frymon shqiptari, nga Preveza e Molla e Kuqe, në Kalabri e Atikë, në Karakurt e Zadar, në Mandricë, Boston, Sidnei, Berlin, Gjenevë, Buenos Aires, Stamboll, Tel Aviv, Misir e kudo!
Begati për kombin tonë e veç bashkim!
Faleminderit Kryeministër për këtë organizim se na paska marrë malli për të kuptuar sa shumë që jemi e sa të fuqishëm jemi bashkë!
Rroftë Shqipëria aty ku e ka vënë Zoti!