Lufta brenda Brigandës së Parë Sulmuese mes imoralitetit dhe frikës së partizanëve për tu përballur me armikun. Çfarë propozonte komandanti i brigadës për shkarkimin e krerëve të batalioneve që ngacmonin partizanet dhe i bënin bisht betejave në Vithkuq, Pogradec e gjetkë. Si u zbulua se komandanti i batalionit të III, kishte sëmundjen seksualisht të transmetueshme. Detaje dhe emra nga skandalet në brigadën më të rëndësishme të ushtrisë partizane
Një luftë e vërtetë brenda llojit ka nisur qysh në vitet e para të luftës, kur komunistët ende nuk kishin ardhur në pushtet. Imoralitet, luftë ndërmjet drejtuesëve të Brigadës, sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe beteja të dështuara për shkak të frikës për t’u përballur me armikun. Ky është informacioni që sjell letra e Mehmet Shehut, komandant i Brigadës së parë Sulmuese, drejtuar Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ. Letra është e tetorit të vitit 1943 dhe pasqyron gjithçka ndodhte brenda kësaj brigade duke përfshirë, imoralitetin dhe për pasojë sëmundjet seksualisht të transmetueshme siç ishte sifilizi. Frika e komandantëve të batalioneve për t’u përballur me armikun dhe mosmarrëveshjet mes tyre janë gjithashtu pjesë e letrës. Atje ka emra komandantësh e komisarësh të propozuar prej Mehmet Shehut, për t’u shkarkuar, si dhe arsyet pse ata duhet të linin detyrën. Është fjala për komandantët e batalionit të tretë dhe të dytë sulmues, njëri prej të cilëve, Nikolla Gajo akuzohej se ngacmonte seksualisht partizanët dhe se ishte konstatuar se ishte me sëmundjen e sifilizit, një sëmundje seksualisht e transmetueshme. Të gjitha detajet e marrëdhënieve imorale në Brigadën e Parë Sulmuese vijnë përmes letrës së Mehmet Shehut që i drejtohej Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ. Letra është marrë në aArkivën e Shtetit dhe mban firmën e Mehmet Shehut.
LETËR DREJTUAR SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË USHTRISË NACIONAL-ÇLIRIMTARE
Shtabi i Brigadës së Parë në një mbledhje të tij të rregullt, duke marrë në shqyrtim kuadrot e brigadës, ka vendosur t’i bëjë propozimet e mëposhtme Shtabit të Përgjithshëm.
Komandanti i Batalionit të tretë të brigadës, Nikolla Gajo, të hiqet prej detyrës së tija dhe të mos i besohet asgjë detyrë në rreshtat e brigadës. Arsyeja është se Nikolla Gajo sillet aq ashpër me partizanët dhe e shton ashpërsinë e tij sa që është transformuar në tiran mbi partizanët. Sado që shtabi i brigadës i ka tërhequr vëmëndjen shumë herë dhe ka bërë çmos që të sjellë në rrugë të mbarë, në vënd që të përmirësohet, në të kundërt është keqësuar çdo ditë e më tepër. Një arsye tjetër është se Nikolla Gajo me qëndrimin e tij të dyshimtë karshi shoqeve, ka lënë përshtypjen në shumicën e partizanëve të brigadës të mos jetë i sinqertë karshi moralit partizan. Është konstatuar gjithashtu se Nikolla Gajo ka sëmundjen e SIFILIT dhe qënia e tij në brigadë e rrezikon jetën e partizanëve në brigadë. Në vendin e Nikolla Gajos si komandant i batalionit të tretë propozojmë Ngjel Argjiri, nënkomandant i batalionit të dytë, i cili ka të gjitha cilësitë e nevojshme për t’u bërë komandant i një batalioni.
Propozojmë heqjen nga detyra të komisarit të batalionit të tretë, Faik Zaimi, për arsye se ky, jo vetëm që nuk ka bërë detyrën e tija si komisar politik sado që shtabi i brigadës i ka dhënë të gjitha ndihmat politike që të fillojë detyrën e tija, porse ajo që është më keq , është se ky është treguar i frikshëm në të gjitha aksionet që ka bërë brigada deri më sot. Në aksionin e Vithkuqit, në atë të Pogradecit, në Xyrë dhe në Qafë Kërrabës, Faik Zaimi është sëmurur pa qënë i sëmurë. Kështu që të gjithë partizanët e kanë humbur besimin në të.
Propozojmë që të degradohet, të komentohet para batalionit të tija heqja e tija prej detyre dhe të transferohet si partizan i thjeshtë në skudarën sulmonjëse (automatike) po të batalionit të tija. Për zëvëndësimin e tija do të shikojmë dhe do tj’u inforojmë më vonë për një kandidat.
Nënkomisari i batalionit të parë, Bedri Gjergji, duke qënë se është treguar krejtësisht i paaftë për detyrën që i është ngarkuar, dhe se nuk premton zhvillim, propozojmë të hiqet prej detyre dhe në vënd të tij të vihet Dhori Panariti, i cili ka të gjitha cilësitë e nevojshme për këtë detyrë. Bedri Gjergjin propozojmë ta lëmë si partizan të thjeshtë në rradhët e batalionit të tija.
Disa ditë më parë u patëm propozuar heqjen nga detyra të komisarit politik të batalionit të parë, Panajot Plaku, për arsye se n’aksionin e Vithkuqit është treguar i frikshëm duke munguar, pa asnjë justifikim për 24 orë nga batalioni i tija. Duke qënë se në këto kohët e fundit ka filluar të përmirësohet, duke u treguar aktiv e duke luftuar frikën, jep shpresë përmirësimi, propozojmë që t’i japim edhe një rasë në disa aksione të tjera duke e lënë në detyrën që ka. DMTH propozimin e mëparshëm e pezullojmë.
Vdekje Fashizimit – Liri Popullit
Datë 6 tetor 1943
Për Shtabin e Brigadës së I-rë Sulmuese,
Mehmet Shehu