Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se beteja e opozitës do të vijojë pa ndërprerje dhe do të përfshijë të gjithë vendin, pas protestës së zhvilluar më 22 mars në Tiranë. Në një konferencë me gazetarët, Berisha e cilësoi protestën si një nga reagimet më të fuqishme qytetare, duke theksuar se qytetarët nderuan në mënyrën më madhështore, solemne dhe dinjitoze ditën e parë të demokracisë.
Sipas tij, demonstrata përfaqësoi revoltën dhe zemërimin e një kombi të tërë në kushtet që ai i quan “narkodiktaturë” dhe “autokraci elektorale”. Ai u shpreh se kjo ishte një nga kryengritjet paqësore më të forta të shqiptarëve në rrugët e kryeqytetit.
‘Qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nderuan në mënyrën më madhështore, më solemne, më dinjitoze 22 marsin, ditën e parë të demokracisë me demonstratën e tyre të fuqishme në kushtet e një narkodiktature, autokracie elektorale apo diktaturë autoritare, shqiptarët treguan dje se janë të pamposhtur nga kjo narkodiktaturë. Mendoj se me protestën e tyre përfaqësuan revoltën, zemërimin e një kombi të tërë.
Kurrë ndonjëherë më e fuqishme kryengritja paqësore e shqiptarëve se sa dje nuk ka qenë në rrugët e Tiranës. Mesazhi është i qartë, në Shqipëri në kushtet e autokracisë të sundimit të Edi Ramës, nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet. Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje.
Ajo do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën. Ndaj dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata dhjetëra mijëra qytetarë që mbushën dje rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe protestuan në mënyrë dinjitoze. Shprehën zemërimin e tyre ndaj këtij regjimi.
Ndaj dhe ne vazhdojmë rrugën tonë gjer në largimin e kësaj organizate kriminale nga pushteti, e cila ka zero legjitimitet.
Ka dalë nga farsa elektorale e certifikuar.
Ka vjedhur miliarda e miliarda euro dhe tani së fundmi bllokoi drejtësinë.
Ne jemi të bindur se në këtë mënyrë ne jemi interpretë të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve të tyre, por që jetojnë me mundin dhe djersën e tyre.
Kështu që, beteja vazhdon edhe më e fuqishme, do të përhapet, do të njohë nivele të reja.
Nuk ka më paqe dhe stabilitet për hajdutët, për narkozyrtarët shqiptarë gjer me rikthimin e votës së lirë, shtetit ligjor”, tha Berisha.









