Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka reaguar lidhur me skandalet e infrastrukturës në vend.
“3.8 miliardë euro në dorën e Ballukut për 2 vite, puna flet vetë”, kështu shprehet Këlliçi në një reagim në Facebook.
Ai më tej thekson se zv.kryeministrja Belinda Balluku me një fond rekord prej 3.8 miliardë euro që ka pasur në dorë vetëm dy vitet e fundit, duhet të kishte sjellë revolucion në infrastrukturë, por kanë vjedhur taksat e shqiptarëve.
“Qytetarët duhet të ngrenë zërin, të bashkohen në shesh me 28 shkurt, e të kërkojnë llogari për paratë që u janë marrë atyre e kanë përfunduar në llogaritë e pushtetarëve të rilindjes!“, shkruan ndër të tjera ai.
Postimi i Këlliçit
3.8 miliardë euro në dorën e Ballukut për 2 vite, puna flet vetë…!
Një fond rekord prej 3.8 miliardë euro ka pasur në dorë Belinda Balluku për rrugët vetëm në dy vitet e fundit. Një shumë e tillë, në një vend të vogël si i yni do të kishte sjellë revolucion në infrastrukturë.
Por çfarë ndodh në realitet? Sot kemi gjithë Juglindjen të bllokuar pa akses sepse rrugët kanë rënë. Gjithë Veriu ngec në rrugën e ngushtë Milot-Shkodër, zgjerimi atje nuk nisi kurrë. Disa kilometra nga Tirana në Kashar po bëhen 2 vite që nuk mbarojnë, dhe rruga për në Durrës kthehet në ferr.
Çdo fundjavë ka radhë kilometrike në dalje e në hyrje të Elbasanit, ku mbaron autostrada.
Ku shkuan vallë 3.8 miliardë euro të administruara nga Balluku për rrugët në këto 2 vitet e fundit?
Këto 3.8 miliardë euro janë pasuria, janë taksat dhe puna e shqiptarëve. Ato nuk janë lekët e Ramës dhe Ballukut.
Kuptohet, janë bërë të tyret nga hajdutëria. Sa herë futen duart e vidhen fondet, njerëzit duhet ta dinë se atyre u mohohet diçka.
Korrupsioni është shkelësi më i madh i të drejtave që kanë shqiptarët për të pasur rrugë, shërbim shëndetësor, paga e pensione më të mira.
Qytetarët duhet të ngrenë zërin, të bashkohen në shesh me 28 shkurt, e të kërkojnë llogari për paratë që u janë marrë atyre e kanë përfunduar në llogaritë e pushtetarëve të rilindjes!







