Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 13 vite burg për biznesmenin Rezart Taçi, i cili akuzohet se do pastronte 18.3 milionë euro të mafias italiane.
Rezart Taçi është ende në kërkim dhe po gjykohet në mungesë për pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho kërkoi dhe konfiskimin e kalimin në favor të shtetit të 18 mln eurove të mafias italiane.
Taçi akuzohet nga SPAK për pastrim parash dhe grup të strukturar kriminal. Procesi ndaj biznesmenit ishte pezulluar për një vit për shkak se ai nuk është gjetur për t’u arrestuar në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg” dhënë në mungesë ndaj tij.
Rezart Taçi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në nëntor të vitit 2021, pasi u akuzua se ishte përfshirë në një operacion financiar për fshehjen e mbi 18 milionë eurove nga konfiskimi në Itali dhe pastrimin e tyre në Shqipëri.
Më 25 prill 2023, Gjykata e Posaçme deklaroi fajtorë dhe dënoi dy të besuarit e Rezart Taçit në këtë veprimtari kriminale, Artur Ballën dhe Bledar Lilon, vendimmarrje që u la në fuqi nga Apeli në muajin tetor, po të vitit të kaluar.
Sipas hetimit të zhvilluar nga drejtoria Antimafia në Prokurorinë e Palermos dhe nga SPAK, operacioni financiar për pastrimin e parave është shtrirë në Itali, Zvicër dhe Tiranë.
Atëherë u raportua se si pjesë e këtij operacioni përfundoi në arrest shtëpiak sipërmarrësi 90 vjeçar italian, Francesco Zummo, i hetuar më parë nga magjistrati Giovanni Falcone si i dyshuar për favorizimin e organizatës mafioze “Cosa Nostra”.
Prokuroria e Palermos arrestoi gjithashtu kontabilistin Fabio Petruzzella, vëllai i një magjistrati palermitan që jeton dhe punon në Milano. Sipas SPAK, skema financiare është drejtuar nga Zummo dhe Petruzella, në bashkëpunim me një shtetas zviceran me origjinë italiane dhe ish-bosin shqiptar të naftës, Rezart Taçi.
Transaksionet bankare të kryera nga të arrestuarit në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, janë realizuar pjesërisht pas ndërhyrjes së SPAK dhe sekuestrimit të 18 milionë eurove.








