Prokurorët e SPAK paraqitën dje në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin prova të reja që rëndojnë pozitën e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke kërkuar autorizimin për vendosjen e një mase arresti ndaj saj. Por mazhoranca vijon të refuzojë, duke deklaruar se pezullimi është i mjaftueshëm, por provat e SPAK konfirmuan se Balluku vijon të shkojë në zyrë për të prishur provat.
“Edhe e pezulluar, shkon në zyrë çdo ditë. Dhe për çfarë? Shkon për të prishur provat. Shkon për të ndërhyrë, për të intimiduar dëshmitarët”, deklaron deputeti Belind Këlliçi.
Këlliçi tregon edhe një detaj nga Këshilli i Mandateve që u mblodh dje për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Ka pasur një moment një votë 5-4-1. Çfarë do të thotë? Te mazhoranca ka pasur një deputet që është shprehur me vullnetin e tij për të abstenuar. Kjo është e vërteta dhe kanë filluar telefonatat dhe, brenda dy minutash ka ndërruar votën. I ra telefoni dhe ndërroi mendim deputeti, që është i njëjti deputet, por nuk po ia nxjerr emrin; është i njëjti deputet që dikur ka thënë publikisht që ne nuk kemi nevojë për të parë provat e SPAK-ut. Mjafton SPAK-u të sjellë kërkesën, automatikisht ngremë dorën dakord…”
Deputeti i PD-së zbulon skemën si funksionon qeveria Rama.
“Janë vjedhur 550 milionë euro vetëm në qarkun Korçë dhe janë rrugë që kanë rënë. Ndërkohë janë vjedhur edhe 500 milionë tek AKSHI dhe tentojnë ta kalojnë si normale. Kjo është çështje korrupsioni. Vidhen para për të vjedhur vota, për të vjedhur më shumë para.
Sot që flasim kemi një qeverisje tërësisht të korruptuar. Kemi kabinetin e kryeministrit të gjithë me dosje dhe nuk mban asnjë përgjegjësi, ndërsa kryeministri po tenton të kalojë amendamentin e Kodit të Procedurës Penale për t’i dhënë licencë kabinetit të tij për të vjedhur. Për çfarë BE-je flasim?
Këta shkojnë në zyrë e kapen pas karriges për të shtuar shanset për të shpëtuar nga drejtësia dhe të kacavirren pas atij pushteti që të jetë ofic zyrtar. Hajduti është hajdut dhe duhet të shkojë para drejtësisë dhe nuk duhet të mbajë detyrë shtetërore. Çdo rrugë që bëjnë i bie, normën e vjedhjes e kapin çdo ditë, por përsëri fajin e ka PD. Sot Saimir Tahiri është kthyer në biznesmen, Erion Veliaj vijon biznesin. Në rrethin e tij, ata që janë goditur nuk u janë prekur paratë”, u shpreh ai.










