Gjykata Kushtuese vendosi të pranojë kërkesën e deputetëve të PD për shfuqizimin e vendimit të rregullores së Kuvendit, që lidhet me numrin e Komisioneve Parlamentare.
“Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.
Gjithashtu Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizimit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuara në arsyetimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Kuvendi miratoi në fillim të kësaj legjislature rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11. Por sipas demokratëve procedura e ndjekur nga shumica ishte e parregullt.
Rregullorja e Kuvendit u ndryshua në dy mbledhje që u zhvilluam brenda të njëjtës ditë, ndërkohë që sipas Kushtetutës ligjet edhe kur janë me procedurë të përshpejtuar nuk mund të miratohen pa kaluar 7 ditë. Sipas demokratëve miratimi i Rregullores brenda një kohe kaq të shkurtër cenon të drejtën e opozitës për tu njohur me ndryshimet dhe për te propozuar amendamente.
gijotina.com/








