Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve ka përfunduar mbledhjen në një seancë maratonë, të mbajtur këtë të hënë, 23 shkurt, për t’i hapur rrugë kërkesës së SPAK për heqjen e mandatit të deputetit, Belinda Ballukut.
Një mbledhje që ka nisur me tensione që në nisje, ligjvënësit opozitarë në Këshillin e Mandateve kanë dalë me një qëndrim përfundimtar, ku kërkojnë që Parlamenti në union të votojë pro heqjes së imunitetit.
Ndërkohë mazhoranca në Këshill, pritet të dalë me një vendim të sajën për Ballukun.
Qëndrimi përfundimtar i 5 anëtarëve të opozitës në Këshillin e Imunitetit:
Përfundimisht, 5 deputetët e Këshillit për Imunitetin,përfaqësues të opozitës, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit;
Rekomandojnë:
Deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës nr. 43019Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për znj. Belinda BALLUKU”, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.






