Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, duke folur në protestën Kombëtare të Partisë Demokratike, theksoi se liria fitohet me guxim dhe kurajë. Blushi u shpreh se guximin e protestuesve nuk e ndal dot një regjim sipas tij i kalbur, teksa shtoi se zgjedhja para qytetarëve është e qartë, dinjitet përballë skllavërisë. Blushi tha ndër të tjera para mbështetësve opozitarë, se opozita duhet ti prijë sakrificës së çdo qytetari.
“Mirëmbrëma, motra dhe vëllezër! Të dashur qytetarë! Liria na thërret, vdekja nuk na tund! Regjimet bien vetëm kur vendosim të paguajmë çdo çmim për lirinë! Kur e ndajmë mendjen të veprojmë dhe të mos pranojmë kurrën e kurrës vjedhjen, dhunën dhe gënjeshtrën, si normalitet. Liria fitohet vetëm me guxim, me kurajë dhe përballje.
Guximin dhe zemërimin tuaj nuk ka fuqi në botë që e ndal dhe jo më një regjim kalbësirë si ky i Ramaduros.
Bashkimi ynë sot po trondit në themel çdo mur që Narkoregjimi ka ngritur përballë jush.
Po trondit çdo narkopolic, çdo patronazhist, çdo strukturë kriminale, që Edi Rama ka krijuar për t’u mbrojtur nga revolta dhe zemërimi juaj. Ky regjim i mbaruar nuk ka më asnjë shpresë t’i mbijetojë ortekut të popullit që ka vendosur të jetojë i lirë. Sot, vendimi ynë është i qartë dhe i padiskutueshëm. Mirëqenie dhe jo varfëri! Dinjitet dhe jo skllavëri! Komb dhe jo shkombëtarizim! A vdekje, a liri! Ky është misioni ynë. Kjo është e vetmja rrugë për shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë. Loti i çdo nëne, që Edi Rama me axhendën antikombëtare të shpopullimit ia dëboi djalin dhe vajzën në emigrim, është borxhi ynë.
Sakrifica e përditshme e çdo prindi që lufton çdo ditë për bukën e gojës së familjes është detyrimi ynë. Vuajta e çdo të sëmuri me tumor në Onkologjik, që lufton me jetën për mungesën e ilaçeve, është thirrje për drejtësi. Poshtërimi i çdo pensionisti, prindi dhe gjyshi tonë, që nuk shtyn dot muajin me pensionin mizerabël, na detyron të reagojmë. Mundi dhe djersa e çdo fermeri që hedh produktet e veta në kanal dhe që sheh se si Edi Rama i vjedh edhe ndihmat e BE, na detyron një reagim. Prodhuesit “Made in Albania” që nuk gjejnë treg për prodhimet e tyre sepse importuesit klientelistë e kanë shkatërruar tregun, u detyrohemi një përgjigje për pyetjen edhe sa duhet t’i durojmë këta banditë?
Të rinjtë që bëjnë dy-tre punë dhe nuk blejnë dot shtëpi, por që shohin Belinda Ballukun me 300 apartamente, meritojnë një rrugëzgjidhje. Tirana, Vlora, por edhe gjithë qytetet dhe fshatrat që ende thahen për ujë të pijshëm ndërkohë që Kreu i Organizatës lag gurmazin me verë 33 mijë euro shishja, i kanë sytë nga ne. Kurrë nuk mund të pranojmë që nevoja e Edi Ramës për të pirë mall të helmojë nga droga edhe fëmijët tanë. Ky regjim që ruan Edi Ramën dhe çetën e tij të kusarëve me qindra badigardë, por që nuk cakton një polic për të ruajtur sigurinë e fëmijëve në shkolla, që theren me thika e humbin jetën, nuk do të lejojmë më asnjë minutë më shumë të qëndrojë në pushtet.
Durrësi, Lezha, Gjirokastra dhe çdo zonë e përmbytur nga korrupsioni në javët e fundit duhet ta dinë se dallga gjigande e këtij reagimi popullor do ta përmbysë përgjithmonë këtë regjim. Se nga flakët që Edi Rama ndezi për të djegur pasuritë e biznesmenëve të ndershëm te 5 Majit për të ndërtuar kulla krimi dhe droge, do të përvëlohet vetë. Shqipëria jonë nuk mund të jetë kurrë më Narkoshtet, as pronë e krimit të organizuar, as plaçkë e një grushti oligarkësh dhe as e mafias ndërkombëtare. Kurrë nuk do të lejojmë që Shqipëria të kthehet në një Soros-land dhe as të pranojmë që toka e shqiponjave të kthehet në fermë për internacionalen e surogacisë. Ne nuk kërkojmë hakmarrje.
Ne kërkojmë liri, demokraci, shtet ligjor dhe drejtësi të barabartë për të gjithë. Ky regjim, që mbron interesat mafioze të pakicës dhe i harron, i braktis dhe i dhunon qytetarët, nuk mund të përfaqësojë më Republikën e Shqipërisë. Ne do t’ua kthejmë Shqipërinë, shqiptarëve! Republika e Shqipërisë duhet të jetë e sovranit dhe e ligjit, kurrë e një Kryebanditi dhe një grupi të strukturuar kriminal qeveritar, që vjedh shtetin, taksat dhe grabit të ardhmen tonë. Sakrificat dhe vuajtjet tuaja këto 13 vite kërkojnë shpagim. Por “Drejtësia e Re” u kthye në armën dhe patericën e Ramaduros për ta mbrojtur atë nga ndëshkimi ligjor për korrupsionin dhe krimet e tij duke ndëshkuar qytetarët e thjeshtë dhe duke ua vështirësuar më shumë jetën atyre.
Shumë prokurorë e gjyqtarë janë kthyer sot në kamikazë të Edi Ramës. Jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politikë, që rrëmbeu në mënyrë mafioze Ilir Metën dhe e mban sot padrejtësisht në burg, që izoloi për 333 ditë Sali Berishën, që rrëmben jo vetëm drejtues të opozitës, por edhe qytetarë dhe biznesmenë të ndershëm, siç faktoi afera familjare e AKSHIT-t e Edi Ramës. Fuqia jonë nuk qëndron te dhuna, por te vendimi ynë për të jetuar të lirë, të sigurt dhe me dinjitet në Atdheun tonë. Unë përulem me mirënjohje për sakrificat dhe qëndresën e gjithësecilit prej jush. Por kjo nuk mjafton.
Ne, opozita, duhet t’i prijmë me çdo sakrificë guximit tuaj! Ta kthejmë lirinë në misionin tonë kombëtar. Të shembim këtë mur të hajdutërisë dhe krimit të organizuar të shkrirë njësh me shtetin. Të shembim ligjin antifamilje, të lartësojmë figurën e nënës dhe babait, dhe të mbrojmë vatrat tona nga ky sekt mafioz pa fe dhe pa Atdhe! T’i kthejmë popullit çdo qindarkë dhe pasuri të grabitur nga organizata kriminale dhe kryetari i saj. Të rikthejmë votën e lirë dhe të mbrojmë si sytë e ballit demokracinë, në themelet e së cilës është gjaku dhe sakrificat sublime të shqiptarëve që dhanë jetën në përballje me diktaturën.
Të shkërmoqim dhe ta shkulim nga rrënjët këtë regjim të kalbur narko-mafioz! Ne do të ndërtojmë një Shqipëri të drejtë dhe të dhembshur, që mendon, kujdeset dhe që u shërben të gjithëve, ku drejtësia dhe mundësitë janë të barabarta për çdo shqiptar. Ky është shteti dhe Republika që meritoni ju. Republika e shqiptarëve të ndershëm që jetojnë me djersën e ballit. Nuk do të lejojmë që ajo të bëhet NarkoRepublika e Edi Ramës. Për lirinë ja vlen çdo sakrificë! A vdekje, a Liri! Fitore!” tha Blushi.










