Hetimet e SPAK për aktivitetin e basteve dhe lojërave të fatit të paligjshme po marrin një tjetër dimension. Gazetari Sokol Bregu deklaroi se prokurorët e posaçëm kanë zhvilluar për një kohë të gjatë hetime të detajuara, duke ndjekur disa pista që çojnë përtej emrave tashmë të njohur publikisht.
Sipas Bregut, fillimisht vëmendja ka qenë e fokusuar te Ergys Agasi, duke u respektuar parimi i prezumimit të pafajësisë. Megjithatë, gjatë thellimit të hetimeve, SPAK ka konstatuar se në skemën e basteve ekziston edhe një tjetër figurë kyçe, një “Gys” tjetër, më pak i njohur se Agasi, por me ndikim të konsiderueshëm.
“Jo me famën e Ergys Agasit, por një emër që është aty afër, me një peshë të vetën në këtë histori”, u shpreh Bregu.
Sipas tij, hetimet për pengesat në procesin e hapjes dhe dhënies së licencave për lojërat e fatit çojnë drejt një emri konkret, i lidhur me zonën e Duranës: Gjergji Taho. Ky i fundit, sipas Bregut, është drejtori që ka kompetencën për të dhënë licencat, ndërkohë që dyshohet se ka bllokuar qëllimisht procesin.
Gazetari theksoi në MCN se arsyeja e këtij bllokimi lidhet me një përfitim të mundshëm personal, i cili aktualisht është në fazën e dyshimeve nga ana e SPAK.
“Duhet ta sqarojmë për publikun: jemi në fazën e dyshimeve të SPAK. Prezumohet pafajësia dhe asgjë nuk është ende e provuar. Verdiktin përfundimtar e jep gjykata, mbi bazën e fakteve”, nënvizoi Bregu.
Ai shtoi se hetimi aktual përfshin analizimin e faqeve online të basteve, lidhjet e mundshme me krimin e organizuar, si dhe dyshimet se dikush, nga brenda institucioneve, po pengon licencimin e ligjshëm për të mbajtur gjallë tregun e paligjshëm të lojërave të fatit.
Deklaratat e Bregut konfirmojnë se SPAK po ndjek një linjë hetimore të gjerë, që synon të zbardhë jo vetëm aktivitetin e paligjshëm të basteve, por edhe mekanizmat institucionalë që dyshohet se e kanë mbrojtur apo favorizuar këtë aktivitet për vite me radhë.










