Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar që kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij, njëherësh edhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku të japin menjëherë dorëheqjen.
Në konferencë me gazetarët, Berisha u shpreh se çdo ditë që kalon zemërimi i qytetarëve dhe revolta e tyre po shtohet. Sipas tij, Edi Rama me bllokimin që po i bën drejtësisë po pengon arrestimin e Belinda Ballukut.
Berisha i drejtohet Ramës se tre Lindat ia ka mbledhur fati në një rreth të kuq.
“Bllokimi që i është bërë drejtësisë nga Edi Rama për të mbrojtur Belinda Ballukun, për të cilën kërkohet arrestim, janë akte të rënda që i bëhen shtetit dhe një poshtërim për shqiptarët. Atyre u thuhet: ne ju kemi vjedhur, ju vjedhim dhe do t’ju vjedhim. Ne jemi mbi ligjin dhe Kushtetutën.
Edi Rama i ka përgjegjësitë dhe ato janë shumë më të rënda se të Belinda Ballukut. AKSHI ka qenë ekskluzivitet total i familjes Rama. AKSHI përfaqëson vjedhjen e plotë të të gjitha të dhënave të sigurisë kombëtare. Janë vjedhur qindra miliona euro përmes baxhanakut të tij, vjedhje të kryera në AKSHI, me implikimin edhe të bashkëshortes së tij. Ai akuzohet për tre pengmarrje.
Rama pretendonte se “Linda e tij”, e dyta, është thjesht rastësi, sikurse edhe Linda, Belinda–Mirlinda dhe Linda të tjera — një “koicidencë” se si fati i mbledh në një rreth të kuq. Linda akuzohet për shpërdorim fondesh. Ajo akuzohet se ka drejtuar një bandë bashkë me Ergys Agasin dhe se fondet kanë përfunduar në familjen supermafioze Rama.
Jep dorëheqjen sa më parë, je i pashpresë! Qytetarët shqiptarë janë të revoltuar ndaj teje dhe janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim për largimin tënd.
Përshëndes përzemërsisht qytetarët e Vlorës për protestën e tyre dinjitoze qytetare, për fibrën e tyre qytetare dhe për reagimin e fuqishëm. Ua zunë “gulanë” në fyt zyrtarëve që ishin mbledhur të festonin me fondet e ujësjellësit.
Ju përjetoni padrejtësitë më të mëdha. Uji nuk mungon vetëm në Vlorë, por në mbarë Shqipërinë. Arbitrariteti nuk ushtrohet vetëm në Vlorë, por në çdo skaj të këtij vendi. Për të shpëtuar, duhet zëri juaj dhe angazhimi juaj.
Të përzëmë sa më parë këtë të keqe të madhe që i ka rënë Shqipërisë. PD dhe opozita angazhohen në betejën finale për largimin e organizatës kriminale që kryesohet nga Edi Rama.”- tha Berisha.








