Nga Alket Veliu
Çdo shtet me demokraci funksionale ka në themelet e veta dy kollona të rëndësishme, të drejtën e jetës dhe atë të pronës për shtetasit e vetë.
Në Greqi edhe sot e kësaj dite nuk ka një proces hetimi për vrasjen e mijëra shtetasve Grekë me kombësi Shqiptare në fund të Luftës së Dytë Botërore, të identifikuar në pjesën më të madhe ku emrat shumë prej tyre i gjeni edhe të shkruar në këtë mur në Kllogjer.
Sistemi i drejtësisë në Greqi ka heshtur për 70 vite për krime të kryera nga struktura kriminale banditeske. Shteti grek, jo vetëm që nuk i ka dënuar këto krime ndaj shtetasve të tij, por edhe i shpërbleu kriminelët deri duke u dhënë poste ministrore.
Shteti shqiptar kurrë nuk ka kërkuar hetim për emrat konkretë, bashkëkombas të masakruar, megjithëse e ka një detyrim kushtetues.
Sot që po na diktohen edhe rrugët e mëhallave në Himarë sesi dhe ku do të jenë, më shumë se kurrë duhet të luajmë me karta të hapura dhe të qarta për kërkesat dhe radhën që këto kërkesa kanë për nga rëndësia.
Nëse vërtet kërkojmë marrëdhënie të mira mes fqinjve, atëherë kjo marrëdhënie nis nga e drejta për të ekzistuar, duke filluar me hetimin për krimet dhe vrasjet e kryera, duke i dhënë mundësinë të flasë së pari drejtësia.
Jam i bindur në formimin e çdo europiani sot, çdo greku apo çdo shqiptari që vrasja konsiderohet krim dhe si e tillë duhet dënuar. Krimi nuk ka as komb e as fe dhe përballë tij duhet të jemi të gjithë si një bllok shqiptarë, grekë apo europianë.