At Bernardin Palaj, kleriku historian, folklorist dhe muzikant që dha shpirt nga torturat komuniste.
Rrëfimi i nipit Luigj Gjergji: “Isha me nënën Lizën dhe gjyshen Nushë, kur pashë trupin e Bernardinit të hedhur përdhe me veladonin gjithë gjak të ngjitur për trupi.”
At Bernardin Palaj, është një ndër 38 martirët e Kishës Katolike që lumturohen sot përmes një ceremonie shumë të rëndësishme në Katedralen e Shkodrës. Ngjashëm me historitë e 37 martirëve të tjerë të kishës katolike, por edhe me bernardin-martirë qindra të tjerë që nuk janë në listën e sotme, At Bernardini pati fund tragjik.
Ai ndërroi jetë për shkak të torturave në hetuesitë komuniste. Është rrënqethëse historia e rrëfyer nga nipi i tij, Luigj Gjergji, i cili ruan imazhet e ditës së fundit të Át Bernardinit, ashtu i shtrirë përtokë, brenda mureve të hekurta të burgut të sajuar për françeskanët, me veladonin e gjakosur e ngjitur pas trupit të vdekur. Át Bernardini la pas një historinë e jashtëzakonshme të një njeriu pasionant, që i dha kaq shumë atdheut të tij.
Át Bernardin Palaj, quhej ndryshe “Frati e Kangëve”. Kështu e kishte pagëzuar shkrimtar i madh Ernest Koliqi.
“Nuk dij se kush patë thanë që gjithkund në botë poetët këndojnë për popullin, e vetëm në Ballkan populli këndon për poetët. Deri tash për mue poeti ma i madh i Shqipnis asht populli i ynë”, pati shkruar Ernest Koliqi për fratin e Palçit, Át Bernardin Palaj. Koliqi i kishte kushtuar një artikull të zgjeruar në numrin 5-8 të revistës “Shêjzat” 1972.
Át Viktor Demaj, sjell në vëmendje shumë detaje të jetës dhe veprës së Át Bernardin Palajt, përmes një portreti që ka publikuar pak vite më parë.
Át Palaj folklorist
Si mbledhës të folklorit Át Bernardini nuk është mjaftuar vetëm me marrjen nga goja e popullit dhe sistemimin e këngëve të kreshnikëve të ruajtura gjatë shekujve nëpër Malsi dhe të transmetuara brez mbas brezi, por është shtrirë më gjerë në këtë fushë, duke na folur edhe për mite dhe legjenda që gjendeshin në zona të thella malore, kryesisht në Dukagjin. Mbledhja e këtyre zakoneve, dokeve dhe traditave të bukura të jetës etnike dhe familjare shqiptare e kanë shtyrë të shohë, të ruajtura trashëgiminë, përkatsinë dhe identitetin Iliro-Thrak të shqiptarëve.
Për të vërtetuar këtë pohim po marrin një pjesë studimi të tij e botuar nga Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë, titulluar: “Studime dhe tekste, Dega juridike Tiranë” 1943, fq. 122-126. Ja çka shkruan Aty për festën e gjithëmbarshme të ditës së verave që për të mund të kishte gjenezë ilire:
Studimet mbi letërsinë klasike dhe modern, si dhe studimet mbi veprat e albanologëve gjermanë, bënë që ai të kishte një kulturë solide dhe të madhe. Por, një ndihmesë të madhe dha edhe në mbledhjen e Kangëve të Kreshnikëve të botuar për herë të parë në vitin 1937 dhe të ribotuar nga botimet françeskane në 2005 dhe ribotuar në vitin 2007. Ja se çfarë shkruan Át Palaj me bashkautor me një tjeter korife të dalur nga “Shkolla Franceskane” Át Donat Kurtin në lidhje me rëndësinë e këngëve të
Kreshnikëve: “Kangët e vjetra, qi njifen prej malcosvet janë nën emnin “kangë kreshnikësh, kangë të moçme, kangë lahute” janë visari ma i çmueshmi i gjuhës, shprehja ma e gjalla e shum ndiesive bucare e përfytyrimi typik i fizjonomis së kombit t’onë” (shih: Át B Palaj dhe Át D Kurti., Visaret e Kombit, botim II, Shkodër Botime Françeskane 2005, fq. IX).
Át Palaj historian
Tani do të flasim për kontributin e Át Bernardin Palajt në lamin e historisë shqiptare. Ndër studimet e tij historike mund të cilsojmë disa që janë më të rëndësishme si: “Studime dhe dokumente rreth dioqezit të Pultit”, shkrime dhe studime dokumentesh, që janë të botuara në revistën “Hylli i Drites”. Por me mjaft interes janë edhe studimet: “Lufta shqiptare kundër pushtuesit turk”, (dorëshkrim e pabotuar), “Kryengritja e Dukagjinit që përfshin vitet 1926-1928”,(dorëshkrim i pabotuar), “Ditar shënimesh”, (dorëshkrim e pabotuar), “A janë Shqyptarët autokton?” (dorëshkrim i pabotuar) dhe “Ça hoqme na katolikët për Shqypni”, (dorëshkrim i pabotuar).
Ndër historianët që ka nxjerrë “Shkolla franceskane” jemi mësuar të dëgjojmë për “Maestron” e historisë Át Marin Sirdanin. Por, siç duket nga shkrimet e lëna kjo fushë ka tërhequr edhe Át Palajn. Shumë kanë shkruar për fillimet e robërimit të Shqipërisë nën pushtuesin e ardhur nga Azia, duke e konsideruar një periudhë mjaft të zymtë dhe të errët dhe të prapambetur për Arbërinë, një ndër këta studiues spikat edhe emri i “Frati të Kangëve”. Në studimin “Lufta Shqiptare kundër pushtuesit turk” ai trajton këto tema: “Gjendja e përgjithshme kishtare prej vjetes 1468 – 1650”, “Largimi i rregulltarve e i bujarve prej Shqypniet”, “Salvimet e turkut”, “Jeta e popullit e e klerit katolik”, “Kryngritja e katolikve”, dhe “Gjendja e Françeskave mrenda kësaj kohe”. Siç shihet nga trajtimi i çështjeve, ky dorëshkrim është lëndë e parë për studimin e asaj periudhe të errët të historisë së Shqipërisë.
Ditari i Át Bernardin Palajt
Mes viteve ‘20 dhe ‘30 të shekullit të kaluar kanë ndodhur shumë ngjarje që kanë lënë gjurmë të pa harruara në kujtesën e popullit shqiptar. E kujtojmë me nostalgji qeverisjen e shkurtër, por demokratike të Fan Nolit të vitit 1924. Kjo qeveri që solli dhe ringjalli shumë shpresa të bashkëkohësit, nuk zgjati shumë, duke ja lënë vendin Ahmet Zogut që i ndihmuar nga serbët përmbysi qeverinë e Nolit.
Të gjitha këto ngarje i gjejmë të renditura në formë ditari nga Át Bernardin Palaj. Ky ditar sjell të vërteta dhe fakte të reja për ta njohur më mirë atë kohë. Një studim tjetër që paraqet fakte dhe realitete të dhimbshme janë kujtimet e Át Bernardin Palajt për Revolucionin e Dukagjinit kundër qeverisë Zogiste. Ndër faqet e historisë anashkalohet kjo vuajtje e popullit të Dukagjinit që zgjati për rreth dy vjet. Më lart kemi thënë se Át Palaj studioi folklorin, zakonet, doket dhe besimet e shqiptarve, sepse në ato ai pa tradita të lashta ilire. Pikërisht duke u nxitur nga kjo, ai bëri edhe një studim të shkurtër sintetik dhe plot ngjarje të reja në lidhje me çështjen se “A janë shqiptarët autoktonë?”.
Jetëshkrimi i Át Bernardin Palaj
Át Bernardini lindi në Shkodër me 2 tetor 1894 nga një familje e thjeshtë malsore nga Shllaku. Studimet i filloi në shkollën fillore të etërve françeskanë, e drejtuar në atë kohë nga Át Gjergj Fishta. Studimet gjimnazore i kreu po pranë etërve françeskanë, ndërsa liceun e kreu në Salzburg e ato teologjikë e filozofike në Innsbruck. Gjatë studimeve ai tregoi një interes të veçantë për studimet shqiptare, si dhe për autorët e huaj që studiuan zakonet, gjuhën, doket shqiptare. Kryesisht e tërhiqnin albanologët gjerman-folës. Për disa vjet mësoi në Liceun “Illyricum”, pastaj shërbeu në famullitë e Toplanës, Palçit, Shalës, Bushkashit dhe të Rubikut.
Fundi tragjik i jetës së tij
Në fund të Luftës, i zhgënjyer, tashmë pas përpjekje të pashpresë të trupave nacionaliste dhe perëndimore për të formuar një shtet të bazuar në lirinë dhe të drejtat e njeriut, duke e parë rrezikun eminent që po i vërsulej si një bishë e egër nga të vetshpallurit shpëtimtar të Shqipërisë, i turbulluar në shpirt, i thotë një tjetër mikut të tij albanologut, profesor Karl Gurakuqit: “Do të tërhiqem në nji famullì të maleve të mija të dashtuna – më tha gadi me lotë ndër sy – dhe aty ku mbahet gjallë fryma e shpirtit arbnuer, në kontakt me popullin e thjeshtë, do të vijoj punën e nisun tash sa e sa vjet, tue gjurmue në historinë, në folklorën e sidomos në Kanunin. Do të përplotësoj e do të sistemoj rapsodit, qi unë i kam mbledhë me kujdes tash sa kohë”. Sa mbresëlënëse dhe rrënqethëse kjo bisedë konfidenciale mes dy dijetarësh.
Por fatkeqësisht, në moshën 51 vjeçare, puna e tij shkencore, si dhe aktiviteti i tij fetar u ndërpre barbarisht, ku për asye absurde e arrrestuan në Kuvendin e Rubikut me 22. 10. 1946. Pikërisht këtu në Rubik i shkruan Át Jak Marlekajt një letër ku i kërkon që ta paraqesë para botës së lirë vuajtjen dhe vrasjet makabre të sa e sa intelektualëve shqiptarë në mënyrë të padrejtë, vetëm për faktin se ishin pionerë të mendimit të lirë dhe demokratik. Në këtë letër, origjinali i së cilës ruhet pranë arkivit françeskan në Shkodër, Palaj shkruan: “I dashtuni P. Jakob, jena në gazep të Zotit. Thueju miqve t’ikun andej qi t’orvaten me sa të munden për me na pshtue prej këtij kobit. Ka nji, ka nji, po na qesin faret të gjithve. Bâne të njoftun mjerimin t’onë ku të dijësh. Të fala B.dini, 20. IV. 1946”.
At Bernardin Palaj vdiq në tortura më 2 dhjetor të vitit 1946. Ja si e rrëfen nipi i tij, Luigj Gjergji, momentin kur e ëma e At Bernardinit, pa birin e saj të shtrirë përdhe i vdekur nga torturat komuniste.
“Ne na lajmëruan që të shkonim tek Kuvendi për ta parë dhe aty vajtëm: unë me nënën, Lizën dhe gjyshen, Nushën. Ne nuk na lejuan që të futeshim brenda oborrit të Kuvendit, por na hapën paksa portën e jashtme dhe nga aty pamë trupin e Bernardinit të plandosur përdhe me veladonin gjithë gjak të ngjitur për trupi. Njerëzit e Sigurimit na thanë se ai kishte pasur vdekje natyrale dhe na dhanë disa plaçka e sende të tija personale krejt të parëndësishme. Por, e vërteta qëndronte krejt ndryshe, sepse vdekja e tij kishte ardhur nga torturat dhe sëmundja e tetanozit që i ishte shpifur atij ato ditë nga teli me gjëmba që i kishin lidhur duart. Ne kërkuam që të merrnim me vete kufomën e tij për ta varrosur, por ata nuk na e dhanë e pas disa minutash na përzunë nga aty. Që nga ajo ditë ne nuk mësuam dot asnjë të dhënë se ku e kishin varrosur trupin e tij, por pas pesë vjetësh, u hap fjala se At Bernardinin së bashku me gjashtë klerikë të tjerë që i kishin mbytur në tortura, i kishin varrosur në gropën e gëlqeres aty në një skaj të Kuvendit françeskan. Po kështu krahas këtij lajmi ne na thanë se trupi i At Palajt ishte groposur në një vënd me trupin e Dom Lazër Shantojës, brenda murit rrethues të Kuvendit. Por të gjithë këto ishin vetëm fjalë nga njerëz dashamirës, sepse faktikisht eshtrat e At Bernardinit familja jonë nuk ka mundur t’i gjej dot edhe sot e kësaj dite”, e përfundon rrëfimin e tij Luigj Gjergji.