14 pallate rreth “Pazarit të ri”, përfshirë edhe ato me kolona do të ndërrojnë plotësisht fytyrë. Kjo parashikohet në fazën e tretë të projektit të “Pazarit të Ri”, por pavarësisht procesit të rehabilimit, ajo që do të ruhet është tipologjia e ndërtesave.
“Disa prej objekteve kanë edhe vlera të trashëgimisë kulturore. Pra, rehabilitimi i këtyre fasadave është i tillë që ta ruajë karakterin e këtyre objekteve. Ndërsa te disa të tjera do të ketë një ndërhyrje më të fortë”, u shpreh Ditjon Baboçi, drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës.
Pjesë e këtij procesi transformues, që do ti japë një tjetër pamje Tiranës do të jenë edhe pallatet në lagje të tjera të kryeqytetit. Por me një kusht që të ruhet karakteri historik dhe artistik, që godinat të kenë kuptim.
Sa i takon godinave 1-katëshe që pozicionohen brenda tregut, pronarët kanë 1 javë kohë për të ndryshuar fasadat sipas planit të Bashkisë, përndryshe do t’u prishen.