Nga Alket Veliu
Jam rritur në fëmijërinë time si djali i drejtorit çam në nafte. U rrita dukë dëgjuar me qindra epitete pa ditur nga kush dhe pse ishin orkestruar, u mësova duke dëgjuar për tim atë që është një ndër specialistët e zotë në naftë, por… Gjithmonë kishte një “por”, e cila kishte të bënte me prejardhjen krahinore si çam. Çamët duhet të shkonin në punët më të vështira, madje diskriminimi racor shkonte edhe deri tek fëmijët. Nuk mundem të harroj “vizitat” nga këshilli lagjes në shtëpinë time për të bindur tim atë që vëllai im (nxënës ekselent) të shkonte të studionte në shkollën e mesme të naftës me pretendimin që Partia kishte nevojë për nxënësit e shkëlqyer në naftë. Unë isha më me fat, pasi më kapi viti i parë i konkurseve dhe i shpëtova destinacionit të shkruar nga lart për të qenë një naftëtar.
Kel Demi në një shkrim disa ditë më parë vinte në dukje me të drejtë fenomenin “çomi” në Tiranë, i cili edhe pse i lindur në të njëjtin qytet dhe shkolluar në të njëjtat shkolla si edhe kryeministri i vendit; njëri quhet “çomi” dhe tjetri “tirons”, megjithëse parardhësit e të dyve janë të ardhur në Tiranë.
Vitet që pasuan për çamët ishin vite të sfidës për të treguar vlerat tona si njerëz punëtorë duke dhënë kontributet tona në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, kontributet u dhanë në një profil të ulët politik, por të lartë intelektual dhe ekonomik.
Mungesa e vëmendjes së politikës shqiptare në Çështjen Çame bëri që komuniteti ynë të rriste nivelin e përfaqësimit politik dhe duke u kthyer vitet e fundit në një faktor të rëndësishëm në zhvillimet politike dhe shtetërore shqiptare. Kjo rritje e nivelit të përfaqësimit politik ka shqetësuar përveç shtetit fqinj edhe persona të veçantë në politikë dhe në median vendase.
Ditët e fundit po lexoj në gazeta dhe portale sulme në drejtim të drejtorit me origjinë çame të AKU-së, i cili ka vetëm një muaj në krye të këtij institucioni. Nuk dua të hyj në brendësi të akuzave apo pretendimeve të “kalemxhinjëve” duke mos njohur fushën, por “kalemxhiu” ka zgjeruar shumë objektivin e sulmit jashtë AKU-së në drejtim të një komuniteti. Kisha më shumë se 30 vjet pa e dëgjuar termin “drejtori çam” dhe kurrë nuk kam dëgjuar terma “drejtor lab, “kuksian”, “korçar” apo të tjerë.
Ky sulm duket i mirëorkestruar duke targetuar individin -drejtor për të sulmuar komunitetin çam dhe shpesh në shkrimet e tij i referohet “Drejtori çam, Sejko” apo “Cari çam”, ashtu siç dikur bëri sistemi komunist me të ashtuquajturin “grup armiqësor çam të Teme Sejkos”.
Mos vallë ky mbiemër ngacmon dikë?
Mos vallë përkatësia krahinore ndikon në performancën institucionale të një drejtori?
Apo mos vallë rritja e përfaqësimit politik e çamëve po shqetëson dikë?
Apo mos vallë gjobëvënësit e sotëm nuk janë më vetëm ata ordinerë, por edhe me kravatë?
Mos vallë debati shterp lidhur me Kombin Shqiptar dhe Kosovar synon të zgjerohet edhe tek çamët?
Cilado qoftë arsyeja, sulmi nuk është kundër një individi që s’ka ngrohur ende karriken, por kundër një komuniteti dhe përfaqësimit të tij në politikë dhe si i tillë këtij “kalemxhiu” duhet t’i kujtohet ligji nr.7768 dt. 9.11.1993 Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në “Konventën Ndërkombëtare për zhdukjen e të gjitha formave të dallimit racor”.