Reagon Mesila Doda: Akt i paprecedent, frikë e nostalgjikëve komunistë që e kanë kapur për fyti këtë vend sot e 75 vjet
Komisioni i Sigurisë kaloi sot për shqyrtim projektligji “Për heqjen e dekoratave, medaljeve dhe titujve të nderit”, i depozituar nga 2 deputete, ish-studentë të dhjetorit, Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda. Por dy deputetët nuk janë njoftuar për të marrë pjesë si propozues të këtij projektligji.
Komisioni nuk e ka shqyrtuar projektligjin me justifikimin se dy deputetët kanë munguar. Për këtë ka raguar deputetja Mesila Doda e cila e ka cilësuar si një akt të paprecedentë i cili shkel hapur procedurat parlamentare dhe më keq akoma duke bërë publike frikën e nostalgjikëve të komunizmit të përballen me të kaluarën e të distancohen publikisht nga kjo e kaluar kriminale.
“Këto ditë, pas intervistës së Nexhmije Hoxhës, është bërë sport popullor të thuhet ndonjë fjalë për komunistët që e kanë kapur për fyti këtë vend sot e 75 vjet te shkuara dhe nuk duan as të vdesin e as të sillen njerzisht në dekikun e tyre të fundit. Ndërkohë, ne në ndryshim me pasionantët antikomunistë të minutës së fundit, nuk kemi heshtur asnjë moment, kemi përsëritur e ripërsëritur përgjatë gjithë kësaj kohe nevojën e një dënimi real të së kaluarës. Kemi ndërmarrë nisma ligjore konkrete për hajen e dosjeve, lustracionin, dekomunistizimin,heqjen e medaljeve dhe titujve të nderit për xhelatët, pasi jemi të bindur që pikërisht në atë periudhë të pavarrosur kurrë të historisë tonë, fshihet amoraliteti më i madh politik e njerzor, qelbi i politikës dhe shoqërisë shqiptare, i pazbuluar e i pashëruar kurrë. Aksionet tona politike kishin për qëllim të sillnin në vëmendjen e shqiptarve hipokrizinë dhe frikën me të cilën politika shqiptare e sotme ka mbuluar veten.
Do të vazhdojmë pa u ndalur asnjë minutë të sjellim për shqiptarët mënyrën e re të përballjes së politikës, atë pa frikë e kompromis ndaj së keqes, politikës së këmbënguljes së përditshme për të evidentuar një krim që e mban të mbërthyer këtë vend në varfëri, krim e mashtrim. Sot në politikën shqiptare është e keqja përballë së mirës. Sejcili individ zgjedh vendin e vet ne ktë pozicionim moral e njerzor”, tha Doda.
Ndërkohë media është dominuar nga një debat që lidhet me një intervistë të së vejës së diktatorit Enver Hoxha, e cila bashkë me moderatoren, në mënyrë cinike sjellin për shqiptarët detajet e jetës private të çiftit diktator.