Ekspertët gjermanë e amerikanë hapin dosjet e korrupsionit, 90% e gjyqtarëve dhe prokurorëve mbeten jashtë sistemit. Më 22 tetor nis trajnimi i ekspertëve shqiptarë, hetim deri në vrimat më të errëta të drejtësisë në Shqipëri
Reinhard Priebe e njeh mirë Shqipërinë dhe Ballkanin. Ka punuar me Shqipërinë qysh në vitin 2004, kur ishte kryetar i grupit negociator të Komisionit Europian me Shqipëri. Priebe ka qenë në krye të Komisionit të Jashtëm të BE-së për Ballkanin Perendimor. Një vit më parë, Priebe u zgjodh në krye të një komisioni hetimor për ngjarjet në Maqedoni. Misioni i tij i radhës është drejtimi i procesit të vetingut për pastrimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ky proces ka nisur prej disa javësh.
Ka pak ditë që pranë ILDKPI-së kanë mbërritur deklaratat e para të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë. Është hapi i parë i procesit të vetingut. Bëhet fjalë për deklarim të pasurive modeste të disa gjyqtarëve e prokurorëve, ndërkohë që priten deklaratat “bombë” të atyre anëtarëve të sistemit të drejtësisë që kanë të ardhura mbi 1 milion euro.
Ekspertë të SHBA-së dhe BE-së kanë nisur gjithashtu hetimin për deklaratat e pasurive që tashmë janë pranë ILDKP-së, por paralelisht me të kanë nisur hetimin për pasuritë e të gjithë anëtarëve të sistemit të drejtësisë, edhe pse deklaratat e gjyqtarëve e prokurorëve problematik ende nuk kanë mbërritur. Data 5 nëntor është afati i fundit për gjyqtarët dhe prokurorët për të dorëzuar deklaratën e pasurisë së tyre. Ndërkohë që grupi i ekspertëve kryesisht gjermanë nga BE-ja dhe i atyre të SHBA-së, ka nisur hetimet për pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Hetimi është përqëndruar pikërisht tek pasuritë e padeklaruara prej tyre dhe përpjekjet për t’i fshehur ato në mënyra të ndryshme.
Skuadra e ekspertëve të huaj të OMN-në, (Operacionit Monitorues Ndërkombëtarë) përbëhet nga tetë gjyqtarë me përvojë të gjatë në sistemet e drejtësisë në vendet e BE-së dhe asistohet nga 30 ekspertë. Këta të fundit kanë nisur të mbledhin dhe të sistemojnë provat e mundshme për fshehje të pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Grupi i ekspertëve të huaj do t’i shqyrtojë provat që vijnë nga ekspertët shqiptarë, por rezultate pritet të vijnë nga hetimet që ata vetë do të kryejnë.
Grupi i ekspertëve të SHBA-së dhe BE-së, kanë ndarë detyrat mes tyre. Roli i amerikanëve do të jetë i përqendruar tek monitorimi i punës së Komisionit të Vlerësimit dhe Kolegjit të Apelimit për pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Bazuar në këto hetime do të përcaktohet më pas edhe fati i secilit prej anëtarëve të sistemit aktual të drejtësisë.
Reinhard Priebe, dora e fortë e Brukselit në krye të Vetingut në Shqipëri
Ekipi i ekspertëve të BE-së, kryesisht gjermanë, drejtohet nga Reinhard Priebe, i cili mban postin e Drejtorit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave dhe Korrupsionit në Bruksel. Ai drejton edhe zyrën e posaçme të ngritur në Bruksel, ku do të përgatiten dosjet për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë. Grupi i ekspertëve nis zyrtarisht lëvizjet në javën e dytë të muajit nëntor, kohë kur përfundon edhe afati i deklarimit të pasurive. Ndërkohë 30 ekspertët që asistojnë tetë gjyqtarët e Brukselit, kanë mbërritur në Tiranë prej disa ditësh dhe kanë nisur punën në terren. Kanë ardhur në Shqipëri ët mbledhin provat në terren, por edhe për të trajnuar ekspertët shqiptarë për zbatimin e vetingut. Trajnimi nis pas dy ditësh më 22 tetor.
Sipas ligjit të Vetingut, ILDKPI-ja mundëson akses të plotë për vëzhguesit ndërkombëtarë, që të kërkojnë informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura.
Dosjet në duart e ekspertëve të huaj
Nga puna e deritanishme, ekspertët gjermanë dhe ata të SHBA-së kanë në dorë një sasi të konsiderueshme të të dhënave që kanë mbërritur përmes mbledhjes së informacionit bazuar në ligjin e vetingut. Sipas ligjit të vetingut, për gjyqtarët dhe prokurorët ekspertët e huaj kanë akses të plotë në mbledhjen dhe verifikimin e dokumentacioneve të mëposhtme: Të dhënat për gjendjen gjyqësore të subjekteve të rivlerësimit; Dosjet personale të subjekteve të rivlerësimit; Informacioni i ardhur nga DSIK; Informacioni i ardhur nga Pastrimit i Parave; Informacioni i grumbulluar nga shërbimet partnere; Të dhënat statistikore, dokumentet ligjore, dosjet e zgjedhura për vlerësim; Mendimet e eprorëve, të dhënat mbi trajnimet; Ankesat ndaj personave që i nënshtrohen vlerësimit dhe rezultatet e verifikimit; Akses në llogaritë bankare, të dhënat tatimore, bazat e të dhënave mbi automjetet; Të dhënat për hyrje-daljet në kufi; Të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme të subjektit të rivlerësimit; Instrumente të tilla si kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat; Të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesi; Të dhënat që provojnë ekzistencën e parave fizike; Të dhënat që provojnë ekzistencën e trusteve ose marrëveshjeve të tjera të ngjashme; Të dhënat mbi të drejta ose interesa pasurorë të çdo lloji mbi një asset; Informacionin e bankave mbi depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera.
Burime pranë grupit të ekspertëve flasin për një përmbysje të sistemit të drejtësisë. Referuar perceptimit të publikutt për korrupsionin në sistemin e drejtësisë, vetingu parashikohet të përjashtojë nga ky sistem jo më pak se 90% të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë. Nëse reforma në drejtësi do të zbatohet me rreptësi, sistemi aktial i drejtësisë do të shembet ndërsa sfida për t’i zëvëndësuar vendet bosh është një tjetër telash për drejtësinë shqiptare.