Partia Socialiste ka bërë publik kandidatin për kryetar bashkie në Kolonjë. Grupi parlamentar i PS-së ka miratuar në unanimitet kandidaturën e kirurgut Ilia Stefa.
Deputeti Pandeli Majko i pyetur nëse Partia Socialiste ishte e fiksuar pas mjekëve tha se ky profesion të bën më të mirë ose më të keq, pa dashur të komentojë ish-kryeministrin Berisha i cili është po mjek në profesion.
Majko: “Ne jemi të bindur se përzgjedhja që ka bërë shtëpia e Partisë Socialiste në Kolonjë, është e duhura, prandaj njëzëri Partia Socialiste e miratoi propozimin që erdhi në kryesi.
Jo! Ne nuk jemi të fiksuar pas mjekëve. Por, mendojmë se mjeku është një profesion që o të bën më të mirë se ç’je o të bën më të keq se ç’je.”
Përballë Stefës është Dritan Hajro, kandidati i opozitës. Zgjedhjet pritet të zhvillohen më 20 nëntor, pas ndarjes në mënyrë parakohshme nga jeta të kryebashkiakut Arben Malo.