Ish-ministri i jashtëm demokrat është i bindur se pala greke paska këmbëngulur dhe ka nxitur Komisionerin e BE-së për të ngritur komisionin për zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve
Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, ish-ministër i jashtëm i Shqipërisë në kohën e qeverisë Berisha, ka tentuar ta vlerësojë si një kontribut të palës greke ngritjen e një komisioni dypalësh për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku përfshihet edhe Çështja Çame. Në mënyrë paradoksale, Bumçi është kapur pas një detaji të deklaratës së zëdhënëses së BE-së Koçijançiç, e cila theksoi se pala greke kishte propozuar ngritjen e një komisioni dy palësh për të zgjidhur çështjet mes dy vendeve ku përfshihet edhe Çështja Çame. Sipas Bumçit, nuk është Ditmir Bushati që ka nxitur komisionerin Hahn për të bërë deklaratën në mbështetje të zgjidhjes së Çështjes Çame, por sipas tij e ka kërkuar pala greke.
Në përgjigje të Bumçit, kreu i PDIU-së tha: “Unë gëzohem që Komisioneri Hahn e kërkoi zgjidhjen e Çështjes Çame, sepse ju të gjithë bashkë nuk e keni përmendur dot kërkesën për Çështjen Çame.
Unë di që komisioneri Hahn i ka kthyer përgjigje eurodeputetes greke dhe i thotë që për çështjen që ju ngrini sot këtu, dhe i thotë që unë jam shumë dakord që të ngrihet komisioni dypalësh, për të cilin kanë rënë dakord dy palët qeveria shqiptare dhe ajo greke. Ky komision të nxisë zgjidhjen e Çështjes Çame bashkë me të tjera çështje që janë ende të pazgjidhura mes dy vendeve.”