Nga Frrok Çupi
Autor i dramës së shkruar është Dario Fo. Ndërsa në dramën e realitetit tonë, autor është shteti. Këtë tha edhe artisti i madh, Fo, i cili sot ndërroi jetë në Milano, tha se shteti ishte autor i “vrasjes aksidentale”.
Ngjarja e fundit e dramës sonë reale ka ndodhur në Shëngjergj të Tiranës. Në fshatin Kollogjesh është vrarë me plumb prapa koke 36 vjeçari B.P. Policia e fshehu vrasjen me shpresën se nuk po merrej vesh. Kur vrasja u bë e njohur në publik, atëherë Policia dha versionin e saj: “Vetëvrasje!”. Njësoj si në vrasjen “aksidentale” të dramës së Fo.
Domethënë, B.P. kishte vrarë veten me plumb “prapa koke” dhe për këtë garanton policia, si të kishte qenë në vendin e ngjarjes. Në fakt 36 vjeçari është vrarë për hesape të drogës. Në Shëngjergj, si edhe në pjesën më të madhe të sipërfaqes së tokës në Shqipëri, toka është mbjellë me cannabis. Kanabisi përdoret për t’u shitur, sidomos në tregun perëndimor; dhe tani është kthyer në bazën kryesore të fitimit për bukën e gojës (për një pjesë të popullsisë) dhe për fitime të mëdha (për pjesën e kartelit). Këtu ndodh edhe konflikti: Ata që e kultivojnë drogën, nuk e kanë në dorë gjithë fitimin. Fitimin më të madh e merr policia dhe shteti; që edhe e ruajnë drogën nga “sytë” e njerëzve “dele” dhe nga rivalët. Po të prekësh në këto dy pika, atëherë ndodh si me 36 vjeçarin B.P. Një plumb prapa koke dhe pastaj komunikata: “B.P. kreu vetëvrasje!”.
Pikërisht kështu ndodhi edhe në subjektin e dramës së Dario Fo “Vdekja aksidentale e një Anarkisti”. Ngjarja ndodhi në stacionin e trenave në Milano, në vitin 1969. Një trenist me emrin Giuseppe Pinelli, u hodh, (ose e hodhën) nga dritarja e një dhome në katin e katërt të rajonit të policisë. Pinelli ishte akuzuar se kishte vënë bombën në një bankë, diku në Piazza Fontana, por ishte shkarkuar nga akuza. Megjithatë policisë i duhej i vrarë. Pasi e hodhën nga dritarja e shpallën “vetëvrasje aksidentale”.
Ja kjo është drama në skenë dhe drama në realitet, që përsëritet në Shëngjergj ditën që vdes autori italian i trillimit, Nobelisti Dario Fo. Ai sot ndërroi jetë, përmes dhimbjes se humbi një personalitet i madh.
Policia e Shëngjergjit, si ajo e Milanos së vitit 1969, nuk e zbulon lehtë viktimën e vet. Dario Fo luftoi derisa e bëri bindëse vrasjen e Pinellit nga dora e policisë. Këtu po luftohet, por kam frikë se mungon një “Dario Fo”. Deri tani Policia ka lëvizur pak nga pozicioni i parë se “B.P. (ose Pinelli) ka kryer vetëvrasje”. Deri tani policia ka thënë se B.P. u gjet i vrarë në një stan, duke mashtruar për pozicionin ku u gjet. Pokuroria ka ngritur versionin e “vrasjes për shkak të pronësisë së drogës”. Hetuesit kanë krijuar bindjen se vrasja e 36-vjeçarit është bërë për larje hesapesh mes disa grupeve rivale që kontrollojnë plantacionet me kanabis në këtë zonë.
B.P. është gjetur i vrarë me plumb prapa koke, jo në stan, por në një magazinë të mbushur me kanabis të thatë; magazina është 200 metra katrorë sipërfaqe dhe e lartë 3 metra.
Kush e vrau? Magazina dhe droga ishin të 36 vjeçarit B.P. Ta kenë vrarë të tijët, do me thënë bashkëpunëtorët në drogë? Jo, sigurisht. Ata nuk mund ta vrisnin në sallën e përbashkët, as mund ta sillnin në ambientin e përbashkët ku do të zbuloheshin vetë dhe droga e tyre.
Dikush ka njoftuar policinë për vendin se ku ndodhet B.P. me plumb prapa koke. Sipas burimeve nga prokuroria dyshohet që kanë qenë vrasësit ata që e kanë lajmëruar policinë, me qëllim që të zbulohej magazina e rivalëve e mbushur me kanabis. Hetuesit përjashtojnë faktin që ai të jetë vrarë nga ndonjë konflikt me bashkëpunëtorët e tij… Edhe në stacionin e Policisë në Milano, në vitin 1969, hyri një gazetare (sipas dramës së Fo, gazetarja Feletti, e cila i shkoi çështjes drejt fundit). Këtu, në Shëngjergj, janë vetë fshatarët që po bëjnë edhe gazetarin “e munguar”. B. P. është vrarë nga rivalët dhe është lënë në magazinën me hashash, me qëllim që policia të zbulojë drogën e rivalit, do me thënë drogën e B.P. që tashmë nuk jeton më.
Policia, në nxitimin për fshehjen e vrasjes, “gaboi” edhe në një gjë tjetër: E dogji drogën që ndodhej në magazinë ku “flinte” B.P. i vdekur. Pse, thua? Se po të gjendej droga, do të krahasohej “rivaliteti” dhe do të zbulohej sa është sasia e drogës që posedojnë rivalët e gjallë; do me thënë, edhe shteti e policia.
Ndryshe nga drama e Fo, këtu kemi katër ose pesë rivalë, jo vetëm dy, policinë dhe trenistin. Këtu kemi B.P.- një, rivalët e B.P., – dy, policinë, – tre, dhe shtetin më lart. Këta kanë hyrë në konflikt me njëri tjetrin, si katër banda.
/veritas.com.al/