Nga Këze Kozeta Zylo
Në përkujtim për të ndjerën Kadrije Pronjo me origjinë çame, e cila ndërroi jetë, më 14 shtator, 2013, po risjell një intervistë që i kam marrë para pak vitesh në shtëpinë e saj, në Staten Island. Ajo që më ka bërë përshtypje gjatë intervistës apo takimeve ka qenë kthjelltësia e mendimeve të saj edhe pse në moshë të madhe, ruajtja e gjuhës së bukur çame dhe mbi të gjitha besimi se një ditë Çështja Çame do të fitojë. TV Alba Life ka qenë i pranishëm dhe ka transmetuar intervistën me të ndjerën Pronjo. I japim ngushëllimet tona familjes së saj të shtrenjtë Bules dhe Saliut, si dhe dy mbesave të saj Betullës dhe Albës që i donte aq shumë. Iu prehtë shpirti në Paqe!
Bisedë me zonjën Kadrije Pronjo
Ju keni lindur ne Çamëri, sot në vitet e pleqërisë, ç’mund të kujtoni nga jeta për atë kohë në qytetin tuaj të lindjes dhe në gjithë Çamërinë?
Po e filloj me qytetin tim të lindjes që quhet Paramithi që në shekujt e mëparshëm quhej Ajdonat. Është një qytet i vendosur në shpatin e Malit Kurilla, mbrapa të cilit shtrihet edhe pjesa tjetër shqiptare, ajo e Sulit. E vlen të kujtoj se bejlerët çamë, veçanërisht Pronjatë ku isha martuar, mbanin gjithmonë miqësi me suliotët. Që në kohën e Ali Pashait ata ishin bërë vëllamë me suliotët dhe i kanë ndihmuar vazhdimisht ata. Kjo është dhe arsyeja, që mbesa e Ali Pashait, u martua në Pronjatët, e cila ishte një zonjë e vërtetë, ndaj dhe njerëzit e respektonin dhe e donin për dashurinë dhe mençurinë që ajo shfaqte në komunikim me ta. Në majë të malit janë ende rrënojat e Kështjellës së Ajdonatit prej nga duket qartë madhështia dhe bukuria e qytetit. Shtëpitë e bardha me dy ose tre kate, të ndërtuara me gurë dhe me oxhaqe të larta tregojnë fisnikërinë e banoreve te saj. Në shumë nga ato shtëpi kishte pjesë që quheshin selamllëqe. Aty strehoheshin fshatarët që vinin për të bërë pazarin. Ata gjenin aty mikpritje e ngrohtësi, bile kishte raste që i zoti i konakut as nuk i njihte se kush hynte e dilte në ato selamllëqe. Oborret e shtëpive ishin të shtruara me pllaka guri anash dhe të lyera me gëlqere, të cilat ishin mbushur me vazo lulesh me aromë që edhe sot nuk më hiqet nga mendja. Shpesh në to mbilleshin lule tipike të krahinës sonë si manxurana dhe vasilikoja. Rrugët e shtruara me kalldrëme nuk mbanin as shi as borë dhe gjithmonë shkëlqenin nga pastërtia. Ato rrugë dhe ato shtëpi llamburitnin si brenda dhe jashtë nga nikoqiret çame, unë kështu e mbaj mend atë qytet si 25-vjeçare kur jam dëbuar me dhunë nga Genocidi Grek!
Kur u larguat nga Çamëria dhe cila ishte arsyeja?
Ah, si erdhi ajo kohë e mallkuar e vitit 1944 që rrënoi ëndërrat dhe shpresat e një krahine të tërë shqiptare. Nga ai mallkim nuk mbeti pa u ndëshkuar as plaku, as i riu, as gruaja, as fëmija. Ishte luftë në gjithë botën, por jo tek ne, lufta bëhej larg atë e bënin të mëdhenjtë gjermani, inglizi, rusi dhe jo ne. Ne me të krishterët ishim në vëllazëri, bile një nga ne i ndjeri A. Pronjo ishte i martuar me një të fesë së tyre. Kanë lënë edhe dy fëmijë. Por, kisha greke së bashku me qeveritarë na kishin halë në sy. Ata përveç rrëmbimit të pronave tona mijëra vjeçare mbanin gjithmonë të ndezur urrejtjen dhe mezi pritën rastin e luftës për të na dëbuar nga shtëpitë e pronat tona.
Cilat janë disa nga pamjet më tmerruese që i keni akoma para sysh në ato vite të Genocidit Grek?
Nuk më hiqet nga mendja ndarja me zonjën Asije Hanëmin, vjehrrën time. Duke më përqafuar e shtrënguar qante me lot dhe më këshillonte që të shpëtoja vajzën disa muajshe, Makbulen duke më thënë nuse në xhenet do piqemi. M’u rrëqeth mishi dhe i gjithë trupi më dridhej, ndërsa vajza qante me dënesë. Me vajzën në krahë dhe një bohçe ndërresash për të, vrapova tek babai, shtëpitë ishin pranë. Babait i kishte rënë një tis i verdhë, ishte bërë si meit, mezi qëndronte në këmbë, kërkoi t’i marr pak erë kokës leshverdhë të mbesës së tij. Tmerr i pa harruar është, kur djalit 4 vjeçar të kunatit tim, Z.J.Pronjos zervistat deshën t’i prisnin kokën. Por për fat komshiu ynë, Nikolla Sotiri, një njeri shumë i nderuar e shpëtoi, megjithëse deri vonë i mbeti shenja e thikës në fyt. Po një tmerr që ështe vështirë të përshkruhet, megjithëse nuk mund të harrohet, i ndodhi komshijes zonjës Heteme. Ishte e re, andartët e Zervës, mbasi ja shqyen rrobat me bajonetë dhe e bënë lakuriq siç e kishte bërë nëna, e morën me vete dhe mbas disa orësh e nxorën jashtë për ta vrarë. Këtu del komshia e saj, e shoqja e Cavos dhe ua shkëputi nga dora duke u thënë, ma lìni mua se do ta marr nuse për djalin tim, Mitron.
A keni pasur të vrarë, të masakruar nga familja juaj, apo miqtë tuaj?
Babain tim të shkretë, Avdon, një burrë i mençur e trim e vranë duke e qëlluar mbas shpine në oborrin e shtëpisë dhe bashkë me të edhe tezen time Hadife. Vjehrrën time, kur morën vesh se ishte Pronjate, një familje fisnike shumë e nderuar që i ka dhënë Çamërisë shqiptarë trima e udhëheqës të njohur si Mustafa e Islam Pronjon, (në Gjirokastër përmendet një shprehje për Pronjatët: “Ua mos u mbaj aq lartë, sikur je nga Pronjatë.”) duke e goditur me tyta pushkësh në kokë i kërkonin se ku ishin fshehur florinjtë e shumtë. Mbas vuajtjesh të papërshkruara së bashku me vajzën e saj Fatimen vdiq në burgun e Paramithisë.
Kush ju strehoi kur erdhët në Shqipëri dhe cilat ishin momentet e para të takimit?
Mbas udhëtimeve natën mbërritëm në periferi të Korçës së bashku me familje të tjera çame. Në burime freskoheshim, pinim ujë dhe piqnim ndonjë misër nga arrat e pakorrura. Në Korçë gjetëm një shtëpi me qira, ku u strehuam tre familje. Qyteti ishte i pastër, shumë mikpritës dhe i kamur, aty gjetëm çfarë na duhej për të jetuar. Njerëzit ishin shumë të sjellshëm, na ndihmonin e na trajtonin si miq te vërtetë. Mbasi morëm vesh se anglezët, kishin shpëtuar mbas shumë muajsh vuajtje në burgun e Paramithisë shumë gra e fëmijë, burri im me shumë mundime, bashkë me çamë të tjerë, kaluan rrugë pa rrugë për të takuar njerëzit e tyre që mund të kishin shpëtuar nga tmerri shovinist. Por, fatkeqësisht nëna dhe motra e tij nuk ishin më ndër të gjallët. Ai në kushtet e dimrit u sëmur rëndë dhe mbas spitalit në Vlorë e sollën në atë të Tiranës. Me gjithë kujdesin e treguar, nga mungesa e ilaçeve, por edhe e ushqimeve ai nuk rezistoi, dhe vdiq në moshën 33-vjeçare. Kështu që mbeta e ve me vajzën time disa muajshe. Pra, jeta ime u nxi nga shovinistët grekë dhe u detyrova së bashku me vëllezërit e mij të punoj për të jetuar. Vite shumë të vështira në kalvarin komunist që e kemi kaluar së bashku me gjithë vëllezërit shqiptar.
Ju keni toka, shtëpi e varret e prindërve në Çamëri, a keni pasur mundësi t’i vizitoni ato?
Atje kam një pasuri të pafund, kam varret e të parëve të mi; por fatkeqësisht, me gjithë dëshirën nuk më është lejuar asnjëherë për t’i vizituar më, as mua, as ndonjë çami tjetër. Kjo bëhet nga grekët, për t’i treguar botës se atje nuk ka më shqiptarë. Vetëm kështu ata mund të kërkojnë pretendime të padrejta për atë pakicë minoritarësh që i kemi mbajtur me bukë për të na punuar çifliqet tona. Por dua të ndalem pak në këtë pikë. Mbasi erdhi demokracia në Shqipëri, aty nga viti 1992, një ditë për çudi, më vinë për vizitë në shtëpi disa gra të krishtera nga Paramithia. Ishte Popi, vajza e H.Paskos bashkë me dy shoqe të tjera te vajzërisë sime të hershme. U bë një takim shumë i përmallshëm, kaluam së bashku një ditë duke kujtuar fëmijërinë dhe rininë tonë, këmbyem dhurata dhe u ndamë si mikesha të vërteta që ishim. Pronat e Pronjatëve si vreshta, ullishte, livadhe janë të shumta, bile para disa vitesh, kur vajza ime ishte për turne në Europë, në British Museum te Londrës, gjeti të ekspozuara disa statuja bronzi me shumë vlerë “të zbuluara më 1792, nga fshatarë shqiptarë pranë Paramithisë në vendin e quajtur Gropë” edhe kjo pronë e tyre.
Ju në një moshë madhore patë me sytë tuaj një emigrim të dytë, kur erdhët në Amerikë; ç’ju detyroi që emigruat përsëri, dhe cili është ndryshimi midis emigrimeve që keni kaluar?
Ah, ju lutem mos ma quani këtë emigrim. Këtu gjeta një atdhe tjetër të vërtetë. U largova nga Shqipëria sepse atje filogrekët nuk duan dëshmitarë okularë të spastrimit etnik që bënë me ne në Çamërinë tonë shqiptare. Nga ato pak gjëra që marr vesh, grekërit duan të marrin edhe Shqipërinë e Jugut. Këtu e kanë qëllimin e mohimit të Çamërisë sonë. Dhe për turpin e tyre, heshtje për Problemin Çam mbajnë dhe qeveritarët që janë vendosur me ndihmën e grekëve.
Si po e kaloni kohën këtu në Amerikë, dhe cila është rutina e përditshme?
Ju thashë edhe më parë, këtu gjeta një atdhe të vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Megjithëse në Shqipëri punova afro 30 vjet më japin një pension afro 100 $ në muaj (faktikisht ato ja kam lënë nipit në Tiranë), këtu me pensionin që më japin mund të ha e të vesh çfarë të dua e të gjezdis ku të mundem. Pra, nuk më mungon absolutisht asnjë gjë. Për këtë i falem Amerikës për natë. Është vend me të vërtetë i bekuar nga Zoti madh. Për këtë duhet ta falënderojnë gjithë shqiptarët. Me sa dëgjoj Amerikanët po ndihmojnë vëllezërit tanë të Kosovës, inshallah një ditë të ndihmojnë edhe ne Çamët për të drejtat tona. Inshallah! Për mbesat e mia Betullën dhe Albën, do të them vetëm që janë shumë te mira dhe në jetë shumë të suksesshme. Stërnipi im, Lisi dhe stërmbesa Dea, që janë lindur këtu, flasin gjuhën tonë shumë bukur dhe recitojnë vjersha në shqip. Ata do të bëhen njerëz të mirë dhe do ta duan si Amerikën ashtu edhe Shqipërinë e vërtetë!
Ju urojmë pleqëri të bardhë dhe ju faleminderit për intervistën!
Staten Island, New York