Interesi mesatar i bonove të Thesarit ka vazhduar rënien për vitin 2016, si reflektim i uljes dy herë të normës bazë të interesit për lekun nga Banka e Shqipërisë.
Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, norma mesatare e interesit për bono thesari shënoi nivelin 1.6%, kundrejt një norme mesatare prej gati 4 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një gjë e tillë ka ndihmuar qeverinë, e cila ka marrë borxh të brendshëm me interesa më të ulëta. Nga ana tjetër, me gjithë rënien e interesave, investimi në bono mbetet më i leverdisshëm se depozitat në lek. Këto të fundit patën një rënie vjetore prej 0.4 për qind për gjashtëmujorin e parë, ndërsa bonot e Thesarit u rritën me 15 për qind krahasuar me fundin e vitit 2015.
Normat e ulëta të interesit i drejtojnë njerëzit te bonot e Thesarit me afat maturimi të lartë. Ato 12-mujore ishin më të kërkuarat. Kërkesa ka pasur edhe për obligacionet dy e 3-vjeçare, që kanë një rritje prej 56 për qind kundrejt gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015.