Roli i ekspertëve të BE-së e SHBA-së në përzgjedhjen e kandidatëve për BKH e Prokurorinë e Posaçme. Kush përjashtohet nga gara, si hetohen të afërmit e tyre dhe si do të vëzhgohen komunikimet me telefon e mjete të tjera komunikimi. Pse ndryshojnë çdo tre muaj planet e fshehta të hetimit. Të gjitha detajet e ligjit të ri që do të pastrojë gjyqësorin dhe politikën nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Ligji për SPAK-un i miratuar dje në komisionin e reformës në drejtësi me konsensusin e dy palëve, ka mbërritur tek secili deputet i Kuvendit pasi të enjten e ardhëshme miratohet në seancë parlamentare. Ligji parashikon ngritjen e prokurorisë së Posaçme Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatën Speciale kundër krimit dhe korrupsionit.
Ligji parashikon edhe mënyrën se si do të asistojnë ekspertët e huaj në ngritjen e strukturave të SPAK. Sipas ligjit, një Komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Europian dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2 vjeçare duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Ligji i ri për SPAK parashikon gjtihashtu se Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të Hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ligji parashikon strukturën e re të prokurorisë së posaçme:
- Prokuroria e Posaçme mbështetet nga personeli i këtyre sektorëve:
- a) Kancelari;
- b) Sektori i Dokumentacionit;
- c) Sektori i Ekspertizës;
ç) Sektori i Hetimit Financiar;
- d) Koordinatori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndërlidhjes për Hetimet e Përbashkëta;
- dh) Koordinatori për Marrëdhënien me Mediat;
- e) Sektori për Asistencën për Individët me Status të Posaçëm.
Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët
Kandidati për gjyqtar dhe nëpunës civil gjyqësor në Gjykatat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për prokuror dhe personel administrativ në Prokurorinë e Posaçme dhe për drejtor dhe hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të plotësojë kushtet e sigurisë përpara se të caktohet apo punësohet në një nga këto pozicione. Asnjë kandidat nuk mund të caktohet në detyrë ose të punësohet pa plotësuar këto kushte. Të njëjtat kushte duhet të plotësohen nga çdo punonjës i Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kryejnë funksione hetimore ose funksionet e të cilëve mbështesin drejtpërsëdrejti hetimin. Kushtet e sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit janë:
- a) kontrolli i verifikimit të pasurisë dhe të figurës;
- b) dhënia e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, për të cilën kandidati plotëson dhe nënshkruan një deklaratë me shkrim, sipas Shtojcës B1 të këtij ligji; si dhe
- c) dhënia e pëlqimit prej anëtarëve të afërt të familjes për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, për të cilën anëtari i afërt i familjes plotëson dhe nënshkruan një deklaratë me shkrim sipas Shtojcës B2 të këtij ligji.
Përveç këtyre kushteve, kandidatët e mësipërm duhet të plotësojnë edhe këtë kriter
g) në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaҁme.
Në ligj parashikohet edhe periudha e trajnimit të kandidatëve për këto struktura, pasi ata kalojnë procesin e kontrollit. Trajnimi do të kryhet nga ekspertë të huaj ku janë pjesë edhe ata të FBI-së. Trajnimi zgjat jo më pak se dy muaj.
Një ndër nenet e rëndësishme është edhe neni katër, i cili parashikon që Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, kur kanë dyshime të arsyeshme për kryerjen e një vepre penale, hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorë të Prokurorisë së Posaçme ose gjyqtarë të Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kontrolli
Neni 49
Byroja Kombëtare e Hetimit kontrollon në mënyrë periodike
- Llogaritë financiare të kryetarëve të gjykatave, të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtuesit, prokurorëve të posaçëm dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, të drejtorit, zëvendës drejtorit, hetuesve, oficerëve të shërbimeve të policisë gjyqësore dhe punonjësve të tjerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si edhe të anëtarëve të afërt të familjeve tëtyre vëzhgohen në përputhje me rregullat e parashikuara në nenin 50. Telekomunikimet e kryetarëve të gjykatave, gjyqtarëve, drejtuesit, prokurorëve, drejtorit, zëvendës drejtorit, hetuesve, oficerëve të shërbimeve të policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit mbikqyren në përputhje me rregullat e parashikuara në nenin 51.
Oficeri Përgjegjës në Byronë Kombëtare të Hetimit krijon një plan për shqyrtimin çdo muaj të komunikimeve telefonike, mesazheve apo postës elektronike të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, dhe të drejtorit, zëvendës drejtorit, hetuesve, oficerëve të shërbimeve të policisë gjyqësore dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky plan nuk u bëhet i ditur kryetarëve të gjykatave, gjyqtarëve, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, prokurorëve të posaçëm, drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit apo kujtdo tjetër. Plani ndryshohet çdo tre muaj.
Ligji për SPAK ka marrë miratimine përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës në komisionin e Reformës në Drejtësi dhe pritet të miratohet në seancën parlamentarë të së enjtes së ardhëshme më 6 tetor.