Për ta konkretizuar përfitimin e ekonomisë nga rivënia në punë e industrisë së riciklimit, kryeministri Edi Rama ka vizituar një prej tyre .
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një fabrikë riciklimi në Kashar e cila prodhon plasmas të një cilësie për eksport. Rama u kujdes të tregojë ndryshimin e asaj që rëndom quhen plehra me mbetjen që përdoret si lëndë e parë për prodhimin e disa materialeve që përdoren në ndërtim dhe bujqësi.
“Plehrë është çfarë shkon për t’u djegur dhe për t’u zhdukur, ndërsa mbetjet e gjelbra janë lëndë e parë. Ligji i ri iu jep mundësinë që duke rritur sasinë e lëndës së parë ju të prodhoni tuba për serat e vendit dhe ta plotësoni tërësisht kërkesat e vendit me cilësi dhe sasi”, u shpreh Rama.
Kryeministri thotë se duke fuqizuar industrinë e riciklimit, ajo do të rrisë kapacitetet për trajtimin e mbetjeve vendase, një proces që pritet të mbështetet nga pushteti lokal duke nxitur diferencimin e mbetjeve që në burim.
Sipas llogarive të qeverisë, duke punuar me kapacitet të plotë industria e riciklimit do t’i sjellë ekonomisë 150 milionë euro në vit ose siç thotë kryeministri Rama sa 1 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.