FSHF mundohet t’i mbajë të fshehtë deri në ditën e fundit emrat e arbitrave përpara ndeshjeve të kampionatit, aq më tepër për takime të tilla si derbi i së djelës, Partizani – Tirana. Por tashmë nuk ka më mëdyshje, për të pritur fjalën e fundit të dizenjatorëve, pasi është e vendosur. Takimin në “Elbasan Arena” do ta drejtojë një elbasanas, Enea Jorgji. Flitet për një nga arbitrat më të mirë në Shqipëri, me stemën e FIFA-s, madje i preferuar edhe nga UEFA, pasi Jorgji është arbitri që ka marrë më shumë ndeshje ndërkombëtare dhe gjithmonë është vlerësuar maksimalisht. Në ndeshje të tilla ndiqet shpesh edhe një tjetër praktikë, sipas të cilës, kryesori zgjidhet me konsensus nga palët. Edhe nëse ka funksionuar kështu, marrëveshja nuk kishte si të mos ndalonte tek Jorgji, pasi pjesa më e madhe e arbitrave të elitës janë pezulluar ose përfolur në javët e para të kampionatit, ndërsa balotazh me Jeminin nuk mund të ketë më, pas penalltisë që ky i fundit i mohoi Tiranës në ndeshjen e javës së shkuar ndaj Kukësit. Ndërkohë janë zbardhur edhe emrat e asistentëve, që do të jenë ndërkombëtarët Barushi dhe Doda, të kolegjumit të Tiranës.