Nga Mero Baze
Lulzim Basha po angazhohet personalisht të nxisë një rreth opinionistësh afër tij, ta paraqesin fitoren e thellë të shumicës në Dibër, si fatkeqësi për Shqipërinë, dhe jo thjesht një humbje e thellë e tij. I mirëkuptoj kolegët e mi në vështirësinë që kanë për të gjetur argumenta të na mbushin mendjen se kjo fitore është një humbje e thellë. Ato bazohen kryesisht tek pafuqia që ka vota të përballojë presionin e varfërisë, ofertën e mafias etj, etj. Në tërësi është një retorikë më banale, se çdo fjalim që ka pas fushata në Dibër.
Filozofia e tyre është aq fyese për fituesin, sa duket sikur në këto zgjedhje do të dënohej ai që do fitonte.
Për një moment e zëmë se në Dibër do të kishte fituar Partia Demokratike, çfarë dhe i kishte të gjitha shanset ta bënte, nëse nuk do të ishte shkatërruar kështu siç është shkatërruar.
Normalisht do ta quanim fitore të Lulzim Bashës dhe ashtu siç e kishte përgatitur dhe ai kopjen e parë të fjalimit, nën atë model fitoreje do përpiqej të ndizte motorrët e fushatës elektorale në gjithë Shqipërinë.
Do ishte alogjike, që nëse ai të fitonte, ne t’i thoshim kjo është një humbje e thellë për ty, se nuk fitova sa duhet e si duhet, se ky është bastion i PD dhe nuk është njësi matëse e broçkulla të tjera.
Në një betejë elektorale, nuk ka mundësi tjetër të operosh përveç shifrave dhe ato janë të thella kundër Bashës. Janë personalisht kundër tij dhe paaftësisë së tij për të drejtuar opozitën.
Unë tani i kuptoj këta kolegët e mi që u bie më qafë Basha për ndonjë nder këto ditë dhe e thonë një fjalë se s’u bë kiameti. Por, nuk kuptoj ata që janë në PD dhe që shpresojnë të fitojnë pushtetin më 2017 me Bashën në krye.
Nëse PD humbet një bastion të saj kaq thellë, çfarë do të bëjë Basha për 9 muaj që nuk e ka bërë për tre vjet e gjysëm, që PD të fitojë?
Do bashkojë PD-në? Do t’u kërkojë falje njerëzve të Olldashit që ka përndjekur këto tre vjet? Do zbojë Gridën e Salianjin dhe do bëjë një “KOP” të ri? Do bëjë betejë me Berishën dhe do distancohet prej tij? Apo do vendosë M’hill Fufin në krye të korpusit “Azem Hajdari” dhe do bëjë betejë me atë që e ka shpikur si mafie që i merr votat?
Basha nuk bën dot asgjë prej tyre. Ai thjesht ka lexuar të hënën në mbrëmje fjalimin që do lexojë dhe në qershor të 2017, kur të humbasë përsëri thellë.
Ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë këtë gjë brenda PD, thjesht shpresojnë që të jenë në vendet e para në listat e tij dhe ta kenë të sigurtë vendin në Kuvend. Dhe Basha e ka këtë të mirë, që ua premton të gjithëve ato vende. Kundërshtarët e tij brenda PD, që me mençuri nuk po e përdorin këtë rast për revansh, thjesht janë të kënaqur që kjo është rruga e duhur që Basha të humbasë thellë dhe po e lënë të qetë të shkojë i sigurtë drejt humbjes.
Berisha po bën sikur mendohet, jo se nuk i ka raportuar qytetari dixhital, por se po pret mos ngre kokë dikush nga brenda PD kundër Bashës, që ta godasë.
Pra, të gjithë armiqtë dhe miqtë e Bashës kanë rënë dakord mos ta prekin atë. Miqve dhe servilave të tij kështu u duhet, të jetë kryetar i PD dhe t’u sigurojë atyre një vend në lista. Armiqve të tij brenda PD, po kështu u duhet: Humbës dhe i pashpresë për PD. Kolegëve të mi gazetarë që po përpiqen ta mbajnë me aspirina këto ditë, duke e ngushëlluar se mund t’ia dalë herën tjetër, nuk ua marr për të madhe, se pas ca javësh e tregojnë vet si barcoletë këtë që ka ndodhur. Pra, të gjithë janë dakord që Basha nuk duhet prekur. Ai është si një i vdekur i balsamosur që duhet mbajtur ashtu deri më 2017, se po e preke të tretet dhe të mbetet në dorë. Dhe duket që mbi të gjithë, ata që po ja ruajnë kapakun e qeltë të balsamosjes, janë njerëzit e pushtetit. Dhe atyre Basha u duhet. Kështu siç është; I vdekur dhe i pakallur!
Dhe mendoj se e gjithë kjo është mafia reale, që po na lë pa opozitë. Këta që po mbajnë me dhunë në krye të opozitës, atë që s’ia del dot!
/gazetatema.net/