KLSH kallëzon në prokurori drejtorin e njësisë së menaxhimit të projektit “Ndërtim i rrugës Tiranë-Elbasan”
“Nga auditimi u konstatuan pagesa ndaj kontraktorëve privatë të dhëna në kundërshtim me kontratën e punimeve civile, keqmenaxhim i fondeve, me pasojë dëm ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit në vlerë mbi 2,4 milionë USD, si dhe shpenzime jo në përputhje me parimet e 3E-ve (efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit) me vlerë mbi 4 milionë USD” thuhet në njoftimin e KLSH-së
Ky është përfundim i auditimit në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) për Projektin “Ndërtimi i Rrugës tiranë-Elbasan”, për periudhën nga data 30.06.2014 deri me datë 30.06.2016”.
Me Vendimin nr. 100, datë 07.09.2016 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresë nr. 508/7, datë 07.09.2016 i janë rekomanduar ARRSH dhe Njësisë së Menaxhimit të Projektit masat përkatëse me karakter organizativ, si dhe ato në lidhje me shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 2,411,159 USD dhe të shpenzimeve jo në përputhje me parimet e ekonomicitetit, efiçiencës dhe efektivitetit me vlerë 4,038,959 USD.
Bazuar në Manualin e Prokurimeve për shërbime konsulente të Bankës Islamike për Zhvillim, KLSH ka rekomanduar masë administrative për shpalljen të pa pranueshëm për lidhje kontrate për shërbime konsulente Kompaninë e cila është ngarkuar për supervizionin e punimeve si dhe mos lidhjen e kontratave të mëtejshme me Kontraktorët të cilët po realizojnë punimet civile të këtij projekti.