18 vite më parë, më 12 shtator 1998, u vra themeluesi i Lëvizjes Studentore dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Eshtë një ndër ngjarjet më të rënda dhe më të bujshme të ndodhura në këto 25 vite në Shqipëri. Azem Hajdari mbeti i vrarë nga një atentat në oborrin e selisë së Partisë Demokratike mbrëmjen e 12 dhjetorit të vitit 1998. Kryetari i atëhershëm i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë Nano dhe vrasjen e Hajdarit e cilësoi politike. Partia Demokratike kishte rreth një vit që ishte në opozitë, pas humbjes në zgjedhjet e 29 qershorit 1997. Duke e konsideruar politike vrasjen e Azem Hajdarit, Berisha dhe lidershipi i opozitës vendosën menjëherë nisjen e protestave deri në rrëzimin e qeverisë Nano.
Protestat nisën, ditën kur Azem Hajdari do të përcillej për në banesën e fundit, më 14 shtator. Kortezhi mortor u vendos para Kryeministrisë, për të shpërthyer në revoltë kundër qeverisë Nano. Turma e protestuesve u dynd në institucionet shtetërore, në Kryeministri e Parlament e deri tek godina e Televizionit Publik Shqiptar. Ishte një situatë aq kaotike, sa edhe arkivoli me trupin e të ndjerit Hajdari mbeti për disa momente i braktisur në sheshin para godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit, të drejtuar nga krerët e PD-së, sulmuan godinën e Kryeministrisë, të Parlamentit, dhe hynë me forcë në godinën e Televizionit Publik Shqiptar. Kryeministri Fatos Nano ishte larguar një natë më parë nga Shqipëria drejt Maqedonisë, për çështje sigurie. Pavarësisht kaosit të krijuar, rendi u rivendos brenda pak orësh. Ministri i Rendit, në atë kohë Perikli Teta, doli para mediave darkën e 14 shtatorit dhe njoftoi se situata ishte tërësisht nën kontroll.
Vrasja e Azem Hajdarit e ashpërsoi skajshëm luftën politike mes mazhorancës dhe opozitës. Përmes një rezolute të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 15 shtator, shumica e cilësoi grusht shteti protestën e opozitës.
Rënia e qeverisë
Në këtë situatë politike të tensionuar, Fatos Nano mblodhi më 16 shtator Komitetin e Përgjithshëm Drejtues të PS-së, ku kërkoi votëbesimin e këtij forumi për të vazhduar qeverisjen. KPD-ja i dha votat Fatos Nanos për ta vazhduar qeverisjen me kabinetin që drejtonte. Vendimi i KPD-së ishte në vazhdën e rezolutës së miratuar në Kuvend, e cila të gjitha përgjegjësitë për ngjarjen e 14 shtatorit ia faturoi liderit të opozitës, Sali Berishës, dhe drejtuesve të tjerë të saj. Por nuk u mbyll me kaq. Presidenti Rexhep Meidani, i mbështetur edhe nga drejtues të tjerë të PS-së, si Servet Pëllumbi, Ilir Meta, Anastas Angjeli, Sabit Brokaj, e të tjerë, kërkoi sërish votëbesimin e qeverisë. Në atë kohë u komentua në media se kjo lëvizje ishte nxitur edhe nga ndërkombëtarët. Sipas mediave të kohës, Presidenti Meidani kishte marrë sinjale nga ndërkombëtarët për ta ndërprerë mandatin e qeverisë Nano dhe për të zgjedhur një tjetër qeveri, pasi kjo do t’i shërbente uljes së tensioneve politike mes mazhorancës dhe opozitës. Pak ditë pasi KPD-ja i kishte dhënë votëbesimin qeverisë Nano, u mblodh sërish për të diskutuar. Pas shumë debatesh u vendos që Nano të jepte dorëheqjen dhe të krijohej një qeveri e re. Më 29 shtator 1998, Fatos Nano dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
Dorëheqja e Nanos si kryeministër
“Dorëheqja ime është e parevokueshme. Jemi këtu për të thënë ndërkohë se një qeveri e fortë, që sulmoi fort, krijoi edhe një reaksion të fortë përballë një opozitë destruktive, duke krijuar një konflikt të fortë, i cili çoi edhe në rënie të qeverisë. Duhet të krijohet një qeveri faktikisht e matur, për të krijuar konsensusin që askush të mos abuzojë. Kam investuar dhjetë vjet në politikë, dhe u tërhoqa për të mos krijuar polarizim. Terreni është i minuar, nëse konflikti zbutet, atëherë qeveria ecën përpara”, thuhet në deklaratën e Nanos.
Pas dorëheqjes së Nanos nga posti i kryeministrit, në krye të qeverisë erdhi Pandeli Majko, i cili deri atëherë ishte sekretar i përgjithshëm i PS-së, një prej figurave më aktive të kësaj partie. Pandeli Majko ishte në atë kohë 31 vjeç. Kishte mbërritur në postin e rëndësishëm të sekretarit të përgjithshëm të PS-së për shkak të aktivizimit të tij në politikë qysh me FRESH-in. Majko ka spikatur si një ndër mbështetësit e Fatos Nanos në betejën e këtij të fundit me kundërshtarët në parti, si Pëllumbi, Meidani, Meta, etj. Kur u zgjodh kryeministër, Majko kërkoi që në krahun e tij të djathtë të ishte pikërisht një prej kundërshtarëve të Nanos. Ilir Meta u zgjodh zëvendëskryeministër i Shqipërisë. Meta ishte në atë kohë vetëm 29 vjeç. Qeveria e re e socialistëve nisi punën, ndërsa Fatos Nano u kthye në selinë e PS-së. Nuk kaluan veçse tre muaj, dhe Nano dha dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të PS-së.