Drejtpërdrejtë nga Arafati, Ilir Hoxholli
Kjo është thirrja që lumenjtë e bardhë njerëzor thërrasin si përgjigje ndaj ftesës të Gjithëpushtetshmit. Ky është momenti që pushteti yt nuk vlen, as posti, as pasuria. Kjo është dekika që ti mes miliona njerëzish veshur me të bardha, nuk dallon asnjë shenjë se kush janë, nga vijnë dhe as çfarë posedojnë.
Haxhi është udhëtimi i jetës, me dy peshqirë të bardhë (ihrame) nis udhëtimin në vendet e shenjta. Gjurmët e historisë të profetëve të njerëzimit ecin krah teje, të njëjtat hapa, të njëjtat lutje në gjuhë të ndryshme. Ngjan si një kuvend i madh, i thirrur jo nga institucione ndërkombëtare, por nga pafundësia universit. Në këtë det mëshire e falje, gjithsecili mundohet të marrë për vete dhe për vendin nga vjen, bekime, falje, dashuri për njëri-tjetrin për t’i shpërndarë më pas në vendin e tij.
Ky është shembulli i vërtetë, se si Zoti na shikon ne, të njëjtë, të barabartë, pa dallim race dhe ngjyrash. Jo siç jemi mësuar ta shikojmë ne, në përdishmërinë tonë njëri tjetrin.
Arafat – Vendtakimi i Ademit (Adamit) dhe Havasë (Evës), vendi i faljes dhe dashurisë, vendi fillimit të njerëzimit dhe vendi i shenjtërisë së familjes dhe edukimit të brezave. Haxhi, rituali më domethënës i mbajtjes së premtimit të Ibrahimit (Abrahamit), simboli i refuzimit që njeriu të bëjë kurban njeriun në emër të Zotit. Vendi i armiqësisë me djallin, veset, mendimet djallëzore, për t’u kënaqur me dështimet e njëri tjetrit. Çdo pjesë të jetës e gjej në këtë udhëtim. Ndjej dashuri, pozitivitet, sikur diçka të shtyn të falësh çdo njeri që të ka mërzitur, por edhe t’u kërkosh ndjesë njerëzve që ke lënduar. Ndjej se që të bësh mirë, të përhapësh të mirën nuk ke nevojë për famë, por për sinqeritet dhe të nxisësh të tjerët.
Lutem për këdo, sepse në këtë det faljesh dua të përfitojnë dhe ata që nuk patën mundësinë të jenë me ne. Lutem për vendin tim, të cilin Zoti na e fali të mrekullueshëm, e për ta shijuar atë. Ata që duhet të ndryshojnë janë njerëzit.
O Zot, unë jam një mëkatar që si një fëmijë-shkollar që nuk i ka kryer detyrat, qëndroj kokëulur para teje, e di që Ti ia kalon buzëqeshjes së mësueses, dashurisë së nënës për birin e saj. E di që tek Ty do gjej faljen se Ti je Falës dhe e do faljen, por bashkë me mua o Zot, na beko në tërësi ne shqiptarët, na bëj të dashur me njëri-tjetrin dhe na drejto të bashkuar në tokat, të cilat Ti i caktove për ne…