Zbardhet konfirmimi i Sistemit të Dedektimit të Mashtrimeve të Basteve, korçarët e kanë bërë baltë brenda dhe jashtë
Federata Shqiptare e Futbollit u mundua ta fshinte me të gjitha mënyrat vendimin e zbardhur të UEFA-s për dënimin e Skënderbeut në Champions League të këtij sezoni. U tha se flitej vetëm për dyshime të pavërtetuara, por në fund është zbardhur gjithçka dhe sipas Sistemit të Dedektimit të Mashtrimeve të Basteve, Skënderbeu është përfshirë vazhdimisht në aktivitete manipulimi rezultatesh, në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare, gjatë 6 viteve të fundit. Sistemi ka arritur në përfundimin, se të paktën 54 ndeshje janë manipuluar nga kampionët e Shqipërisë për arsye fitimi të paligjshëm, nëpërmjet basteve.
Ndërkohë që FSHF nuk bën as minimumin, për t’i heqë të paktën titullin e fundit kampion skuadrës korçare dhe t’ia kalojë atë Partizanit, pikërisht ekipit që përfaqësoi vendin në Champions. Nëse do të ndodhte kjo, klubi kryeqytetas do të përfitonte edhe bonusin e UEFA-s që i shpërndahet klubeve fituese të këtij trofeu, gjë që është ngrirë për shkak të mashtrimit të kampionëve. Justifikimi i drejtuesve të FSHF-së në publik për këtë argument, përveçse është shumë bajat, është edhe një gënjeshtër e madhe: “Skënderbeut nuk mund t’i hiqet titulli, pasi është dënuar sipas dyshimeve për ndeshje të luajtura jashtë vendit”. Ja se çfarë ka manipuluar klubi korçar sipas UEFA-s: 5 ndeshje të Champions League, 2 ndeshje të Europa League, 41 ndeshje të kampionatit, si dhe 6 ndeshje miqësore.